Avokati: Ismail Morina nuk do të ekstradohet

17/08/2017 00:00

Gjithçka ka shkuar në pikën zero për çështjen e ekstradimit të Ismail Morinës për në Serbi, në lidhje me akuzat që i janë bërë për nxitje urrejtjeje mes popujve.

Gjykata e Dubrovnikut ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, sipas së cilit Ismail Morina duhet të ekstradohet, ndërkohë që në një intervistë për Top Channel, avokati kroat i Morinës sqaron më tej vendimin.

“Gjykata ka marrë një vendim të njëjtë si herën e parë, vetëm se këtë herë është më i detajuar. Tani, në këtë vendim është shkruar më qartë se në çfarë dokumentesh është bazuar pala serbe për kërkesën e ekstradimit. Në të thuhet gjithashtu se krimi i kryer nga Ismail Morina skadon pas 10 vitesh që është kryer, ndërkohë që sqarojnë se Morina nuk është një qytetar kroat dhe kjo është një arsye që të ekstradohet sipas tyre. Neve na duhet tashmë të bëjmë apel për këtë vendim brenda 3 ditëve dhe të rikthehemi në Gjykatën e Lartë. Nuk ka mbaruar asgjë, nuk është një vendim përfundimtar”, tha Darko Butigan.

Avokati i Ismail Morinës vazhdon të shprehet optimist se kjo çështje do të zgjidhet në favor të klientit të tij dhe ekstradimi do të evitohet.

“Për momentin, procedura e azilit është gjëja më e rëndësishme. Aktualisht jemi në pritje të policisë, e cila do të vijë për të dytën herë që ta marrë në pyetje Morinën. Këto procedura të azilit kërkojnë kohë, megjithatë për momentin ajo e ka pezulluar çështjen e ekstradimit. Një tjetër zgjidhje do të ishte ndërhyrja e ministrit të Drejtësisë, i cili mund të vendosë për mosekstradimin e Morinësa, pavarësisht asaj që ndodh me kërkesën e azilit. Por të gjitha këto janë procedura që zgjasin dhe kërkojnë kohë, ndoshta 10 muaj apo një vit”, tha Darko Butigan.

FOTO GALERI
2/2

Top Channel