Itali, arrestohet emigranti. Shkaktoi aksidentin me 3 viktima

15/08/2017 00:00

Tre persona humbën jetën në një aksident rrugor pranë Barit, që siç raportojnë mediet italiane u shkaktua nga një 22-vjeçar shqiptar.

Ngjarja ndodhi në orët e para të së martës, në autostradën që çon nga Barleta në Trani, 40 km në veri të Barit. I riu shqiptar që drejtonte një “Fiat Stilo” përplasi nga pas makinën e tipit “Toyota”, e cila doli jashtë rrugës dhe u përfshi nga flakët.

Si pasojë gjetën vdekjen, të karbonizuar, 3 personat që gjendeshin brenda saj: dy gra dhe një burrë. Shqiptari rezultoi të ishte i dehur dhe u vu në pranga. 22-vjeçari akuzohet për aksident me pasojë vdekjen dhe gjendet i shtruar në spital, për shkak të plagëve të marra nga përplasja e dhunshme.

Bashkë me të udhëtonte edhe një tjetër shtetas shqiptar, i cili po ashtu mbeti i plagosur. Pas aksidentit ndërhynë shërbimet zjarrfikëse të Barletas dhe forcat e rendit. Sipas medieve italiane, dy shqiptarët në një moment të parë e kishin braktisur automjetin e tyre, por më pas ishin kthyer për të ofruar ndihmën e tyre.

Top Channel