Më 23 qershor i kërkoi qytetarëve votën për një mandat të dytë qeverisës për Partinë Socialiste, ndërsa një muaj më vonë, pasi u zyrtarizua rezultati i zgjedhjeve dhe 18 mandatet e Tiranës, kryebashkiaku Veliaj përmes një letre të personalizuar falënderon familjet që besuan sërish te puna e ardhshme e Bashkisë.
“Qytetaria juaj dhe zgjedhja e vendosur për të ecur në rrugën e nisur më bëjnë të ndihem sa krenar, po aq edhe i përunjur. Askush më shumë se unë nuk është i vetëdijshëm se vota e 25 qershorit ishte një referendum për punën e bërë në Tiranë në dy vitet që shkuan, por edhe një verdikt për atë që duam të bëjmë në dy vitet që do të vinë”, shkruan Veliaj.
Veliaj ndan në këtë letër vlerësimet e tij për Tiranën e ndryshuar. Por, pranon se ka ende për të bërë. Në letër kryebashkiaku i Tiranës ndan me qytetarët edhe disa nga planet dhe projektet e ardhshme, këtë herë më konfidencialisht sesa nga ekrani, duke ju drejtuar çdo familje në veçanti.
“Shumë shpejt do të fillojë puna për terminalin perëndimor që do të lehtësojë trafikun në atë zonë. Do të nisim po ashtu, zbatimin e projekteve për rigjallërimin e Piramidës, Parkut të Madh të Liqenit e Kopshtit Zoologjik. Ndaj, të dashur miq, më lejoni t’ju falënderoj edhe një herë për përkrahjen tuaj të pakursyer dhe për rikonfirmimin e përgjegjësisë e privilegjit për t’ju shërbyer. Më e mira na pret përpara! Forca!”, shkruan Veliaj.
Top Channel