Dibranët duan rrugën, Rama prezanton raportin

05/08/2017 00:00

Shqetësimet që dibranët i kanë shprehur kryeministrit gjatë dëgjesave për bashkëqeverisjen me qytetarët, Edi Rama i ka përmbledhur në një raport të cilin e publikoi të shtunën në rrjetet sociale.

Infrastruktura e dobët rrugore në aksin nacional Peshkopi-Tiranë dhe në rrugët që lidhin njësitë administrative e fshatrat me rrugën kryesore është sipas këtij raporti problemi më i madh i qytetarëve dibranë.

Ndërsa problemi i dytë më i madh është mungesa e ujit të pijshëm në disa njësi administrative në bashkitë Klos, Dibër, Burrel dhe Bulqizë. Gjatë dëgjesave me kryeministrin qytetarët kanë shprehur nevojën për investime në sistemin e vaditjes, investime në rrugët rurale, problemet me pronësinë e tokës dhe mbivendosjen e pronës.

Në listë nuk mungon edhe kërkesa për riorganizimin e Partisë Socialiste. Qytetarët ankohen për mungesën e mjekëve specialistë në spitale rajonale dhe bashkiake dhe problemet me kanalizimin e ujërave të zeza.

Politizimi i administratës dhe pengesat nga koalicionet LSI e PDIU, si dhe papunësia janë shqetësime të tjera të përfshira në raportin e dëgjesave të kryeministrit, që, siç ka deklaruar, do të kthehen në prioritet të qeverisjes gjatë këtij mandati katërvjeçar.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel