Christopher Wray, kreu i ri i FBI-së

02/08/2017 00:00

Senati amerikan konfirmoi ish-juristin e Departamentit të Drejtësisë, Christopher Wray, si shef të FBI-së, afro 3 muaj pasi drejtori i mëparshëm i agjencisë James Comey u shkarkua nga detyra, nga ana e presidentit Donald Trump.

Wray, i cili u konfirmua me 92 vota pro dhe 5 kundër, do të drejtojë agjencinë kryesore të vendit për sigurinë e brendshme, ndërkohë që vazhdon hetimi federal për akuzat për përfshirje të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.

“Siç e dimë, shumë hetime janë në vazhdim, përfshirë atë për të qartësuar përpjekjet e Rusisë për të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2016. Këto janë hetime të rëndësishme dhe delikate dhe nuk mund të ndikohen nga njerëz në pozicione të rëndësishme. Performanca e Wray në shërbim dhe reputacioni i tij nuk na japin asnjë arsye për të dyshuar për të”, tha Charles Grassley, kryetar i Komitetit të Drejtësisë në Senat.

Wray ka shërbyer në vitet 2003-2005 si zëvendësprokuror i Përgjithshëm nën administratën e George W. Bush dhe, përveç republikanëve, ka edhe mbështetjen e demokratëve, gjë që u pa qartë edhe në rezultatin e votimit në Senat.

Top Channel