Aksionet e PD në shtator, zgjedhjet dhe kontrolli parlamentar i qeverisë

02/08/2017 00:00

Në Partinë Demokratike nuk do të ndodhin ndryshime pa u bërë më parë analiza e humbjes në çdo seksion të forcës më të madhe të opozitës.

Burime zyrtare nga selia blu thanë për Top Channel se “zërat për ndryshimin e lidershipit në shtator janë spekulime të pastra, se asgjë prej tyre nuk është e vërtetë dhe se gjithçka po nxitet për të mbushur zbrazëtinë e gushtit nga lajmet politike”.

Të njëjtat burime thanë se në shtator dy projektet kryesore të Partisë Demokratike në opozitë janë të lidhura me zgjedhjet dhe me kontrollin parlamentar të qeverisë për luftën anti-korrupsion.

Burime zyrtare konfirmuan për Top Channel se projekti për votimin biometrik, pjesë e marrëveshjes Rama-Basha, që përfshin identifikimin biometrik, votimin dhe numërimin elektronik, është projekti i parë që opozita do të nisë në shtator.

Nisma tjetër është ajo e ndryshimit të ligjit për komisionet hetimore, një ligj që nuk ka prodhuar asnjë efekt domethënës dhe është përdorur më shumë si retorikë politike.

Burime pranë opozitës thanë se ndryshimi i ligjit synon t’i bëjë komisionet hetimore bashkëpunuese me SPAK-un dhe Prokurorinë e Posaçme për luftën kundër korrupsionit.

Reforma në drejtësi është vlerësuar si kyçe në luftën kundër korrupsionit edhe në një darkë pune që kreu i opozitës pati me kryetarin e komisionit për inteligjencën në Kongresin amerikan.

Basha e shfrytëzoi këtë takim për të njohur kongresmenët me të dhëna për rolin e organizatave kriminale, që sipas tij, në bashkëpunim me qeverinë realizuan blerjen dhe manipulimin e zgjedhjeve të 25 qershorit.

Top Channel