Vendimi i Kolegjit, LSI: Rama po kap drejtësinë

31/07/2017 00:00

Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Endrit Braimllari ka akuzuar kryeministrin Rama se ka kapur të gjitha sistemet shtetërore, përfshirë atë të drejtësisë.

Reagimi i Braimllarit ka ardhur pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor për këshilltarin bashkiak, që i takon sipas tij ligjërisht Lëvizjes Socialiste për Integrim, por që i mbeti Partisë Socialiste.

“Edi Rama tregoi edhe një herë qartazi që kërkon të ketë nën kontroll çdo pushtet në Shqipëri, përfshirë pushtetin lokal dhe sistemin e drejtësisë për të cilin ka shumë kohë që lufton që ta zotërojë në çdo mënyrë”, ka deklaruar Braimllari.

Sipas tij, shqiptarët tani do të shikojnë se pas tepsisë, Edi Rama do të shtrohet këmbëkryq edhe në drejtësi.

“Tashmë regjimi i drogës, krimit dhe oligarkëve do të rendisë edhe listat e këshilltarëve dhe deputetëve. Vendimi i sotëm tregon se i gjithë sistemi në Shqipëri është i kapur nga Edi Rama”, ka shtuar Braimllari.

Ai ka nënvizuar se LSI është e vendosur në rrugën e saj për të bërë opozitë frontale ndaj këtij regjimi “të neveritshëm” i cili po tregon çdo ditë e më shumë kapjen e çdo sistemi, përfshirë këtu atë të drejtësisë.

“Kjo është politika e pashpresë e Edi Ramës, e cila po e çon Shqipërinë në udhëkryq duke larguar çdo ditë e më shumë shqiptarët nga Shqipëria”, ka shtuar Braimllari.

Top Channel