Kremlini: SHBA të tregojnë vullnet për përmirësimin e marrëdhënieve

31/07/2017 00:00

Për Kremlinin është e rëndësishme që Uashingtoni të tregojë vullnet politik dhe të heqë dorë nga përpjekjet për të diktuar sanksione, për hir të përmirësimit të marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

“Rruga e vetme për të dalë nga kjo situatë është duke shprehur vullnet politik për të normalizuar marrëdhëniet, duke u shkëputur nga degradimi i skizofrenisë politike, duke shprehur dëshirën për t’i normalizuar këto relata dhe duke braktisur përpjekjet për të diktuar sanksione”, ka deklaruar zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Të enjten e kaluar, Senati amerikan aprovoi me shumicë të theksuar një vendim që i vendos sanksione edhe më të ashpra Rusisë, e cila pret nga presidenti Donald Trump ose ta firmosë atë dhe ta kthejë në ligj, ose të vendosë veton.

Duke u përgjigjur ndaj kësaj mase, presidenti rus Vladimir Putin njoftoi të djelën vendimin për të reduktuar me 755 persona stafin diplomatik amerikan në vendin e tij.

Peskov ka deklaruar se Uashingtonit do t’i jepet mundësia që të hartojë listën e anëtarëve të stafit që do të largohen nga Rusia, të cilët mund të jenë edhe amerikanë edhe rusë.

Zëdhënësi i Kremlinit ka theksuar se Rusia ka të drejtë të ndërmarrë masa reagimi shtesë ndaj Shteteve të Bashkuara, edhe pse ende shpreson që bashkëpunimi të rekuperohet në fusha të caktuara.

“Në tërësi, Rusia është e interesuar të vazhdojë bashkëpunimin me SHBA aty ku ka interes. Vetë presidenti vlerëson se është e udhës të vazhdojë bashkëpunimi në ato fusha”, ka thënë Peskov.

Sipas presidentit Putin, fushat kyçe të bashkëpunimit mes dy vendeve janë aksionet e përbashkëta kundër terrorizmit, detyrimet përkatëse për kontrollin e armëve bërthamore dhe projektet hapësinore.

Top Channel