Estoni, mesazhi i Pence për aleatët në Lindje

31/07/2017 00:00

Gjatë ndalesës në Talin të Estonisë, zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence siguroi aleatët në Europë se Amerika është me ta.

Pence do të vizitojë 3 shtetet balltike dhe pas kësaj do të qëndrojë edhe në Gjeorgji dhe Mal të Zi, ku gjithashtu do të përcjellë qëndrimin e presidentit Donald Trump se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë pranë tyre, raporton “AFP”.

Me këtë rrugëtim, numri dy i administratës amerikane dërgon një mesazh. Slogani i Trumpit “Amerika e para”, sipas tij ka dhe një domethënie tjetër.

“Mesazhi im sot është shumë i thjeshtë. Edhe pse politika jonë është ajo e Amerikës në krye, kjo nuk do të thotë ‘vetëm’ Amerika. Aletatët tanë në Europën Lindore mund të kenë besimin e plotë se Shtetet e Bashkuara i kanë në krah. Ne mbetemi të angazhuar ndaj NATO-s dhe ndaj mbrojtjes sonë të përbashkët”, tha Mike Pence.

Në Talin, Pence sqaroi se bashkë me presidentin amerikan janë plot me shpresa se, qëndrimi i qeverisë ruse do të ndryshojë në raport me Ukrainën dhe mbështetjen e regjimeve në Iran e Korenë e Veriut.

“Presidenti e ka bërë shumë të qartë se aktivitetet destablizuese të Rusisë në mbështetje të regjimeve të ashpra, si dhe lëvizjet në Ukrainë janë të papranueshme. Por, në të njëjtën kohë, ne i kemi treguar qëllimet tona, presim që sjellja e Moskës të ndryshojë dhe marrëdhëniet të mund të përmirësohen në të mirë të të dy vendeve dhe në interes të paqes e stabilitetit në këtë rajon e në botë”, tha Pence.

Zëvendëspresidenti Pence do të vizitojë më 2 gusht Malin e Zi, ndërsa ftesë për Samitin e Podgoricës i është dërguar edhe Shqipërisë.

Top Channel