Presidenti Meta pret në takim ministrin maqedonas

25/07/2017 00:00

Takimin e parë zyrtar si President i Republikës, Ilir Meta e bëri në Presidencë me ministrin e Jashtëm maqedonas, Nikola Dimitrov.

Presidenti Meta vlerësoi vizitën e ministrit Dimitrov në Tiranë si shprehje e vullnetit të qeverisë së re të Maqedonisë për të zhvilluar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve duke nënvizuar ecurinë e tyre dypalëshe dhe vullnetin që ato të zhvillohen më tej në fushën e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në atë infrastrukturor dhe energjetik.

Ai përshëndeti vullnetin qeverisë maqedonase për miratimin e “Ligjit për përdorimin e gjuhëve” në mënyrë të veçantë atë të gjuhës shqipe, si një hap të rëndësishëm për adresimin e plotë e pa vonesa të Marrëveshjes së Ohrit.

Presidenti Meta nënvizoi rëndësinë e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO si një hap që forcon sigurinë dhe stabilitetin e saj dhe të rajonit duke siguruar mbështetjen e Shqipërisë për këtë proces të rëndësishëm.

Gjithashtu, Presidenti Meta shprehu falënderimet për urimin e marrë nga Presidenti Ivanov dhe i kërkoi Ministrit Dimitrov përcjelljen e përshëndetjeve të tij të përzemërta për homologun e tij maqedonas.

Top Channel