Rama: Koalicioni me qytetarët, në të mirë të komunitetit

24/07/2017 00:00

Kryeministri Rama vijon dëgjesat e tij në rrethe dhe si ndalesë të radhës zgjodhi  Shkodrën, ku pohoi se këto dëgjesa kanë për qëllim adresimin e problemeve me qëllim ndërtimin e një koalicioni qeverisës me njerëz të zakonshëm.

“Sot, mjafton të kesh një telefon, kompjuter dhe bëhesh pjesë e këtij koalicioni përmes platformës që do çelet online dhe qëllimi është që të gjitha problemet të trajtohen në mënyrë sistematike. A-ja është të vendosim në presion të gjithë ata që janë në zyrat e shtetit dhe ky presion mos të pushojë asnjë ditë dhe ata të përgjigjen për çdo çështje pas çdo ankese”, tha Rama.

Duke veçuar rastet sporadike në zyrat të caktuara, Rama vlerësoi punën e bërë nga ALUIZNI gjatë këtyre viteve, por sërish ai theksoi nevojën e një afati të caktuar kohor për çdonjërin prej qytetarëve që i drejtohen këtij institucioni nëse dosja e tyre nuk mund të marrë zgjidhje menjëherë.

“Po është e rëndësishme që ky koalicion mos të jetë vetëm çështje ankesash, por edhe marrëdhëniesh që ndërtohen në të mirë të komunitetit”, tha Kryeministri.

Duke marrë shkas nga ankesat e banorëve të pranishëm, Kryeministri u ndal edhe tek sistemi i drejtësisë.

“Problemet e gjykatave nuk i zgjidh dot qeveria, por gjykata. Por Vettingu do krijojë një klimë presioni mbi gjykatës e prokurorë që të jenë më të përgjegjshëm. Duket pastruar sistemi nga metastazat e kancerit e gjithë atij institucioni që e ka nënshtruar sistemin”, u shpreh Rama.

Në fund, Rama prezantoi edhe hapjen e një zyre në të ardhmen, ku secili do bëjë prezente problemet e tyre për të bërë të mundur këtë koalicion me njerëz të zakonshëm.

Top Channel