Emigracioni ilegal, Çako pret ambasadoren franceze

24/07/2017 00:00

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako ka pritur këtë të hënë në një takim pune ambasadoren e Francës në Shqipëri, Christina Vasak.

Gjatë takimit palët diskutuan për çështje me interes të përbashkët, duke u fokusuar tek siguria dhe bashkëpunimi policor për të luftuar krimin e organizuar, terrorizmin, por edhe për kontrollin e përbashkët të kufijve.

“Marrëdhëniet mes dy forcave policore janë shumë të vjetra dhe të ngushta. Dëshiroj që këto marrëdhënie t’i forcojmë më tej për të mirën e të dy vendeve tona”, tha ambasadorja Vasak. Nga ana e tij, Çako vlerësoi se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian kërkon rritjen e kapaciteteve të policisë shqiptare për të luftuar krimin e organizuar, terrorizmin dhe çdo lloj trafiku”, tha Çako.

Numri 1 i Policisë së Shtetit nënvizoi se, aktualisht policia ndodhet në një proces të vazhdueshëm e intensiv ristrukturimi, si dhe të ngritjes në nivel të profesionalizmit në mënyrë që të arrijë standardet e policive europiane.

Çako pranoi se emigracioni ilegal përbën një shqetësim dhe theksoi se ajo mbetet në qendër të vëmendjes.

“Policia shqiptare, ashtu si dhe gjithë shteti shqiptar janë angazhuar maksimalisht dhe në përputhje dhe me protokollin e riatdhesimit të vitit 2013 vazhdojmë të bëjmë riatdhesime të shqiptarëve. Në bashkëpunim dhe me agjencinë Frontex ne vazhdojmë të përditësuar të bëjmë riatdhesimin me skuadra të  shoqërimit të policisë shqiptare”, konfirmoi Çako.

Top Channel