PD, mbyllet votimi. Selami: U shkel neutraliteti. Gjana: Procesi korrekt

22/07/2017 00:00

Procesi i votimit për të zgjedhur kreun e ri të demokratëve, në 71 degët lokale në vend është mbyllur i qetë dhe pa incidente. Për 11 orë, demokratët në të gjithë vendin bënë zgjedhjen e tyre, për atë që do ti drejtojë edhe në 4 vite opozitë. 

E ndonëse Komisioni i Operacioneve Elektorale në PD nuk raportoi probleme, por vetëm përqindjen e pjesëmarrjes në votim, njëri prej kandidatëve në garë, 2 orë para përfundimit të votimit denoncoi atë që e quajti pabarazi në këtë proces, duke radhitur edhe problemet që ka hasur në disa qendra.

“Probleme që kanë të bëjnë me si me ndërhyrjen e disa kryetarëve të degëve, jo të gjithë, por disa prej tyre kanë ndërhyrë duke prishur atë neutralitetin, kanë bërë presione dhe i kanë kërkuar anëtarëve që të votojnë për Bashën. Kjo është një shkelje e rregullave të lojës. Po kështu në mjaft nga këto qendra votimi fotografia e zotit Basha është e varur në qendrën e votimit. Po kështu ka pasur raste të mungesës së emrit në listë, seksione të tëra që nuk kanë qenë të regjistruar dhe kanë shprehur votën për mua”, deklaroi Eduard Selami.

Përgjigjen për kandidatin Selami e dha vetë Jemin Gjana, i cili e përshkroi procesin si korrekt, por pranoi problemin me fotografinë e Lulzim Bashës në disa qendra votimi.

“Nuk ka patur probleme apo incidente. Konsiderojmë dhe vlerësojmë se kemi të bëjmë me një proces të rregullt e korrekt. I kemi kërkuar që të largojnë fotografitë e zotit Basha nëpër qendra. Nuk ka asnjë ankimim për mungesën e emrit në listë”, tha Gjana.

Menjëherë pas mbylljes së qendrave, kutitë me materialet zgjedhore janë dërguar drejt selisë së Partisë Demokratike, atje ku pas verifikimeve do të nisë edhe procesi i numërimit të votave.

E me gjasa, nëse 7 grupet e numërimit të ngritura pranë selisë së PD do të nisin numërimin ashtu siç është parashikuar, rreth mesnatës, mëngjesi i së dielës e gjen PD me kryetarin e ri.

Top Channel