Zgjedhjet, DioGuardi: Fitoi reforma! Të tjerët nuk e donin, Rama po

18/07/2017 00:00

Ish-kongresmeni amerikan Jozef  DioGuardi, apo i njohur nga shumëkush si Gio DioGuardi, gjatë një interviste të ditëve të fundit është ndalur tek arsyeja se përse Edi Rama mori një mandat të dytë nga shqiptarët.

Dhe kur vjen fjala tek personat që nuk e donin reformën në drejtësi DioGuardi ka një emër konkret.

“Ju e dini që kryetari i qeverisë paraardhëse, thuhet se ka bërë miliarda dollarë me të bijën dhe të birin. Si i bëri ai ato para? Nga paga e tij në Qeveri?! Kjo nuk është e drejtë”, deklaron ish-Kongresmeni.

Për DioGuardin reforma në drejtësi është ajo që i duhet vendit dhe shqiptarëve.

“Prej shumë vitesh, SHBA ka kërkuar që të kryhet reforma në drejtësi. Unë kam kërkuar që të kryhet reforma në drejtësi. Askush nuk duhet të jetë në gjendje që të korruptojë një prokuror a gjykatës që ka edhe lidhje me qeverinë, apo të korruptojë dikë në qeveri. Kjo ka ndodhur shumë shpesh në të shkuarën dhe njerëzit nuk kanë më besim në qeveritë shqiptare”, shprehet DioGuardi.

Ish-Kongresmeni republikan kërkon ndër të tjera që të gjithë politikanët në vend duhet të deklarojnë pasurinë e tyre në mënyrë që populli ta dijë se ku shkojnë paratë e tyre.

Gjithashtu ai u ndal edhe tek opozita në Shqipëri dhe kryesisht tek Partia Demokratike, duke e cilësuar rezultatin në zgjedhje si humbjen e besueshmërisë, ndërsa akuzës së Edi Ramës se përdori paratë e drogës për të blerë zgjedhjet, DioGuardi i përgjigjet:

“Duhet ta provojnë këtë. Me sa u pa, njerëzit nuk e besojnë këtë gjë. Gjithçka varet te njerëzit që votojnë. Çfarë besojnë ata? Nëse ju nuk mbani premtimet në një afat të caktuar kohe, herët a vonë nuk do të marrësh rezultatet që dëshiron”, thotë ai.
 
Ish-Kongresmeni uron që opozita të mos zhduket pasi vendi ka nevojë për të.

Top Channel