SHBA: Zgjedhjet me standarde. PS e PD të bashkëpunojnë

18/07/2017 00:00

Zëvendës/Ndihmës Sekretari i Shtetit Hoyt Brian Yee, bëri thirrje për vazhdimin e bashkëpunimit mes shumicës dhe opozitës në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve.

“Ne jemi shumë të kënaqur që populli shqiptar mori pjesë në zgjedhje që komuniteti ndërkombëtar i konsideroi në përgjithësi në përputhje me standardet ndërkombëtare. Jemi të kënaqur të shohim shqiptarët të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar, për të marrë pjesë në një proces demokratik të rëndësishëm. Sigurisht ne tani presim me padurim fazën e ardhshme, një qeveri të re që ne shpresojmë që të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur punën me reformat”, thotë ai.

Zyrtari i lartë amerikan në një intervistë për Zërin e Amerikës foli edhe per bashkëpunimin mes shumicës dhe opozitës pas zgjedhjeve

“Duam që palët të punojnë më shumë për të luftuar korrupsionin, të çrrënjosin korrupsionin mes zyrtarëve, të luftojnë më fort kundër krimit të organizuar dhe narkotikëve, të gjitha këto ne mendojmë se janë çështjet më shqetësuese për qytetarët e Shqipërisë. Ne synojmë të vazhdojmë partneritetin tonë me Shqipërinë, me të gjitha palët që duan të punojnë me ne, që të ndihmojmë me disa nga objektivat që sapo përmenda. Ne duam të shohim përparim të mëtejshëm në të gjitha fushat në të cilat ne kemi punuar me qeverinë e mëparshme”, shtoi diplomati amerikan.

Zyrtari amerikan thotë se është e rëndësishme për shumicën të punojë me parti të tjera që nuk janë në shumicë, ose në koalicionin e shumicës, që të gjejnë zgjidhje që të jenë të pranueshme për të gjithë, ose për një pjesë sa më të madhe të popullsisë që të jetë e mundur.

“I takon kryeministrit dhe qeverisë ta marrin vendim se cilët individë do të përfshihen në qeveri, në të gjitha nivelet. Por sigurisht ne shpresojmë që të ketë një qëndrim përfshirës, që qeveria të bëjë përpjekje të punojë me opozitën dhe pale të tjera që nuk janë në partinë ose koalicionin në pushtet, në mënyrë që të gjejë një mënyrë për të arritur konsensus të mjaftueshëm në vendime të rëndësishme. A bëhet kjo me emërime apo përmes dialogut normal politik, me kompromise, me zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, ka shumë mënyra për të arritur konsensus. Ajo që është e rëndësishme është që shumica, ashtu edhe opozita ta shikojnë punën që e pret Shqipërinë në frymën e bashkëpunimit, në frymën e vendosjes së interesave të qytetarëve të vendit, mbi interesat politike, në mënyrë që të gjenden zgjidhjet që do të ndihmojnë vendin, jo vetëm patrtitë politike.  Ne besojmë se qëllimi i çdo lloj kompromisi, duhet të jetë realizimi i reformave, të shënohet përparim drejt synimit për t’u futur në Bashkimin Evropian, për integrimin e mëtejshëm europian”, deklaron Yee.

Top Channel