Rama, “dush të ftohtë” drejtorit të ALUIZNI-t

17/07/2017 00:00

Kreu i qeverisë në Berat bisedoi me qytetarët per strukturën e re për modernizimin e administratës, ndërsa dëgjoi nga ata një sërë shqetësimesh.

Kryeministri Rama dëgjoi një qytetare, që i ankohej për legalizimin.

“Kam 5 vjet që kërkoj certifikatën e pronësisë dhe nuk ma japin. Kam bërë dhe legalizimin dhe më sorollasin”, deklaroi qytetarja.

Ankesa e qytetares u bë e gjitha në prani edhe të kreut të ALUIZNI-t për Beratin, të cilit Kryeministri iu drejtua prerë.

“Nesër, ose ajo merr tapinë, ose ti largohesh nga zyra! Meqë the se është problem i zgjidhur. Tapinë asaj, ose jep dorëheqjen”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh i sigurtë se struktura që e cilësoi “koalicioni i vërtetë me qytetarët” do të japë shumë shpejt efektet e saj në të mirë të shqiptarëve.

“Nëse kemi një rrjet të organizuar të koalicionit të shtrirë në të gjithë Shqipërinë, do e shikoni sesi Drejtorët do të ndihen të kërcënuar, do të fillojnë të kuptojnë që janë në rrezik të vazhdueshëm, se rreziku nuk u vjen kur futet Nard Ndoka mik tek ministri dhe merr ministri në telefon dhe thotë që zoti Nardi ka një problem. Rreziku s’vjen vetëm nga Ministri, por do vijë edhe nga një njeri i thjeshtë, se nuk i dihet mund të jetë anëtar i koalicionit ai”, u shpreh kreu i Qeverisë.

Por kjo strukturë, sipas Edi Ramës, do të veprojë duke përkrahur edhe qytetarin edhe punonjësin e shtetit.

“Do të jetë një armatë e gjithë njerëzish që do të ndjekin një për një të gjitha shqetësimet e qytetarëve, edhe nga ana ligjore, pasi jo në çdo rast qytetari mund të ketë të drejtë. Patjetër që struktura do të jetë shumë korrekte edhe me punonjësin e shtetit, sepse kjo nuk mund të kthehet në një histori ku ankohet njeri për inat dhe pëson punonjësi i shtetit”, tha ai.

Reforma në administratë, sipas Ramës nuk do të jetë një luftë me partitë, por me ata që abuzojnë me detyrën.

“Këtu nuk është fjala tani që LSI-ja…. LSI-ja dhe të ikin ata të LSI-së, e të vijnë ca njësoj si ata, po me logon e PS. Opozitë nuk kemi as PD, as partnerët tanë deri në fund të gushtit, por kemi vetëm parazitët dhe grabitqarët në zyrat e shtetit. PD-ja, LSI-ja të bëjnë punën e tyre si ta mendojnë vetë, me të shara me mallkime me ulërima”, shtoi Rama.

Top Channel