Referendum jo zyrtar në Venezuelë, opozita sfidon Maduron

16/07/2017 00:00

Zgjedhësit në Karakas dolën në votime të dielën, në një referendum jo zyrtar, për të rritur presionin mbi presidentin Nicolas Maduro që kërkon të krijojë një super organ legjislativ që kundërshtarët e tij e shohin si konsolidim i diktaturës.

Numri i votuesve në qendrat e ndryshme të votimit ishte domethënës. Shumë prej tyre dukeshin optimistë pas votimit. Procesi simbolik ka si qëllim të dëmtojë pozicionin e Maduros në mesin e një krize të thellë ekonomike dhe tre muajsh protesta anti-qeveritare në të cilat kanë humbur jetën rreth 100 persona.

Opozita e konsideron referendumin një akt mosbindjeje civile që do të pasohet nga ora zero, një referim i mundshëm ky ndaj një greve kombëtare apo veprimeve të tjera të përshkallëzuara kundër Maduros.

Por, sidoqoftë, votimi nuk ka gjasa të sjellë ndryshime në qeverinë Maduro dhe as një zgjidhje për krizën politike në vend.

54-vjeçari Maduro tha se votimi i të dielës është i paligjshëm dhe i pakuptimtë. Lideri majtist ndërkohë po vazhdon fushatën e tij për zgjedhjet zyrtare të 30 korrikut, për asamblenë e re, që do të ishte në gjendje të rishkruante kushtetutën dhe të shkrinte institucionet shtetërore.

Top Channel