Gara në PD, Selami: Kryetari humbës mos kandidojë

15/07/2017 00:00

Në bashkëbisedimet me demokratët e Durrësit, Shijakut, Rrogozhinës dhe Fierit, kandidati për kryetar i Partisë Demorkatike Eduard Selami konfirmoi shqetësimin për pabarazinë e garës dhe u angazhua se nëse zgjidhet, PD do të ketë në statut nenin që parashikon dorëheqjen e kryetarit në rast humbjeje.

“Gara nuk është e përsosur. Hajde të fusim një nen në statut për herët e tjera, që nëse kryetari i partisë nuk fiton jep dorëheqjen dhe nuk kandidon më për kryetar partie, që të shmangen këto gjëra. Nuk mund të jetë njëri me këpucë, tjetri zbathur, njëri kryetar në detyrë me  skortë, ndërsa unë me një shofer që nuk di rrugët”, tha Selami.

Problemi më i madh në Partinë Demokratike, sipas Selamit, është prishja e rregullave të lojës. Ai premtoi se nëse zgjidhet kryetar do të bëjë një analizë të thellë për të rikthyer funksionimin e bazës.

“Rregullat e lojës janë prishur, në strukturë dhe në funksionim. Unë këtë quaj pikën më të dobët tonën. Prandaj ju them se nëse me 22 korrik nënshkruajmë një kontratë së bashku, dhe jam besimplotë që kjo do të ndodhë sepse modeli që ofroj unë është bashkohor dhe fitues, do të fillojmë një analizë nga e para në seksion dhe grupseksion për t’i rikthyer në funksionim rregullat, duke futur konkurrencën dhe meritokracinë. Ju do të zgjidhni kush do t’ju përfaqësojë në nivel qëndror dhe lokal”, tha Selami.

Ndërsa Lulzim Basha, gjatë takimeve të tij tha se Partia Demokratike duhet të vazhdojë rrugën e saj të kauzave të drejta për Shqipërinë, me në krye atë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Basha tha se zgjedhjet e 25 qershorit dhe mazhoranca që doli prej saj janë një version i asaj të vitit 91, ku qytetarët bëheshin pjesë e votimeve fiktive nën terrorin e sigurimit të shtetit dhe fletërrufetë identifikonin koka turku mes qytetarëve.

Për Bashën, e vetmja forcë që ka moralin dhe fuqinë për t’i dhënë popullit zgjidhjen që meriton dhe dëshiron është Partia Demokratike dhe plani i saj.

“Ne kemi ngritur disa kauza të drejta të cilat koha dhe 25 qershori provuan se janë kauzat më të rëndësishme për Shqipërinë sot. E nisëm me kauzën e dekriminalizimit. Me luftën kundër drogës si projekt politik i Edi Ramës, për të mbuluar dështimin me ekonominë dhe për të zhvilluar skemën që përdori, sofistikoi dhe kulmoi më 25 qershor, shit-blerjen masive të votës dhe leket e drogës. Qytetarët ishin skeduar me metodat e sigurimit famëkeq. Paratë ishin shpërndarë, ata mbaheshin nën vrojtim me ndihmën e një shteti të bërë njësh me krimin, administratës, shërbimeve, ndihmës sociale, subvencioneve, legalizimeve, me mediat të gjitha të kapura dhe të vëna në shërbim të pushtetit dhe gjithçka tjetër. Në këto kushte u zhvilluan zgjedhjet e 25 qershorit. Në këto kushte mazhoranca që ka dalë nga 25 qershori është një mazhorancë fiktive. Nuk reflekton vullnetin e njerëzve aq sa e reflektonte ajo e 91-shit, për rrethana të njëjta apo të ngjashme. Reflekton frikën, dëshpërimin, reflekton varfërinë që këta e theluan. Ne jemi te vetmit që kemi moralin forcën, kurajon vizionin dhe planin për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza. Nuk ka dritë në fundin e tunelit të Edi Ramës”, tha Basha.

Top Channel