Rinumërimi në Tiranë, KQZ hap të enjten 72 kuti votimi

12/07/2017 00:00

Nesër mësohet nëse Shpëtim Idrizi do të marrë mandatin si deputet në Parlamentin e ardhshëm.

Beteja e votave duket se do të bëhet midis PS-së dhe PDIU-së, të cilat pretendojnë se u janë tjetërsuar votat në Tiranë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori në shqyrtim ankesat e PDIU-së dhe PS-së për tjetërsimin e votave në disa qendra numërimi në Tiranë dhe vendosi që të hapë gjithsej 72 kuti të zonës zgjedhore të Tiranës.

PDIU pretendon se në numërimin e verdiktit të 25 qershorit iu tjetërsua vota dhe konkretisht kërkon hapjen e 47 kutive në të cilat pretendon të marrë së paku 66 vota më shumë nga rezultati i njohur deri më tani.

Në tabelat e rezultateve të certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, PDIU si forcë politike ndodhet 37 vota larg pragut elektoral që përcakton marrjen e një mandati në kryeqytet. Partia e Shpëtim Idrizit dorëzoi gjithashtu edhe pamjet filmike që provojnë tjetërsimin e votës në dëm të saj.

Ndërkohë, edhe Partia Socialiste është një nga partitë që dorëzoi ankesë në KQZ. Në kërkesën e partisë fituese të zgjedhjeve, kërkohet hapja e 23 kutive të votimit të zonës zgjedhore të Tiranës, që do të bëhet në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve paraditen e së enjtes.

Top Channel