Lëvizja e kritikëve të Bashës, Patozi: Të ndalim farsën, Berisha të flasë me fjalë e vepra

12/07/2017 00:00

Lëvizja për ringritjen e Partisë Demokratike pas humbjes në zgjedhjet e 25 qershorit, ka nisur nga Durrësi, qyteti të cilin Astrit Patozi e quajti një barometër në këto kushte ekstreme që po kalon kjo forcë politike.

Nga Durrësi u kërkua anulimi i zgjedhjeve në PD më 22 korrik dhe riaktivizimi i të gjitha strukturave të PD-së, për të siguruar një opozitë të vërtetë, që nuk mund ta bëjë Basha, përballë Edi Ramës që sipas Besnik Mustafajit, përbën rrezik për të gjithë vendin.

“Është takimi më emocionues që nga ’91 dhe jemi këtu për të shpëtuar PD-në. Jemi këtu se mendojmë që PD është në rrezik serioz për ekzistencën e saj dhe nëse është ajo në rrezik është e gjithë opozita dhe Shqipëria dhe Edi Rama është një kërcënim për të gjithë kombin nëse nuk do të ketë përballë një opozitë parimore e trime dhe këtë nuk mund ta bëjë Lulzim Basha. Jemi këtu për t’i thënë kryetarit të ngrirë Basha se kjo që po bën nuk është një fushatë me debat mbi arsyet e humbjes e ide në të mirë të demokratëve dhe shqiptarëve, për të nxjerrë më të mirin në udhëheqje”, u shpreh Besnik Mustafaj.

Nismëtari i lëvizjes për ringritjen e PD-së, Astrit Patozi u ndal në arsyet e humbjes dhe parashtroi ndryshimet e nevojshme për një parti të fortë.

“Duam mbështetjen tuaj që të gjithë bashkë t’ia dalim. Duam reflektim dhe ringritjen e PD. Duhet të riparojmë të gjitha dëmet e bëra në PD. Aksionerë të PD e gjithë antarësia. Zvogëlim të kompetencave të kryetarit; Të shenjtërohet statuti i partisë, është Bibla e Kurani i demokratëve; përcaktimi në statut i dorëheqjes së kryetarit nëse humb. PD të shndërrohet në model të shoqërisë shqiptare; Respektimi i vlerave, kontributeve dhe simboleve; Bashkimi i demokratëve përfshirë dhe 200 mijë votuesit që humbëm; PD, shtëpia e lirisë së të djathtës shqiptare etj”, tha Astrit Patozi.

Ai kërkoi reagimin e të gjithë, që nga Sali Berisha dhe deri te demokratët e thjeshtë në bazë, për të ndalur farsën e 22 korrikut dhe rimëkëmbur partinë.

“Duam reflektim e garë të barabartë në PD. Ftoj të gjithë demokratët, që nga Sali Berisha e deri te demokrati i Vermoshit të reagojnë me fjalë e me vepra që ta shpëtojmë PD-në. Heshtja është pajtim me të keqen. Të ndalim këtë farsë para 22 korrikut. Atë ditë s’duhet të ketë votim. Nëse kjo nuk ndodh përgjegjësia s’do të bjerë vetëm mbi Lulzim Bashën. S’mund të kemi kryetar një humbës”, u shpreh Patozi.

Nga Durrësi, demokratët bënë thirrje dhe për bojkotim të zgjedhjeve për kryetar të partisë më 22 korrik dhe largimin e kryetarit të ngrirë Basha.

Top Channel