Tre ankesa për zgjedhjet, Zguri: Nga sot s’pranohet më asnjë

11/07/2017 00:00

Nga sot asnjë parti politike nuk ka më të drejtë të bëjë ankim në KQZ, pasi afati zyrtar nga dita e shpalljes së vendimit për tabelat përfundimtare ka përfunduar.

Përveç PDIU, që e ka kundërshtuar rezultatin e Tiranës, duke pretenduar një mandat, edhe PS e PD kanë dorëzuar ankimet e tyre, socialistët për Tiranën dhe demokratët për Beratin. 

Por në daljen e tij përpara mediave, kreu i KQZ-së kërkoi vëmëndje për një tjetër çështje të ndjeshme sipas tij, pasi shqyrtimi administrativ i ankimeve nga KQZ nuk e ezauron gjithë problematikën e zgjedhjeve.

Klement Zguri kërkoi nga institucionet përgjegjëse që kanë evidentuar incidentet, apo shkeljet e regjistruara në zgjedhje, raportim të menjëhershëm.

“Task Forca e ngritur nga Këshilli i Ministrave për monitorimin e Zgjedhjeve 2017 apo Departamenti i Administratës Publike, janë marrë gjeresisht me problematikën e zgjedhjeve, kanë bërë konstatime, kanë ndërhyrë dhe kanë nisur procedura hetimi administrativ. Është momenti që këto organizma të bëjnë publike rezultatet e punës së tyre. Në mënyrë të veçantë organet e ndjekjes penale kanë regjistruar çështje hetimore, për të cilat shqiptarët presin hetim të shpejtë, të pa ndikuar politikisht, profesional dhe të drejtë. U bëj thirrje të gjitha institucioneve të përfshira të përmbyllin me përparësi procedurat e tyre të hetimit administrativ apo penal dhe të bëjnë sa më shpejt publike rezultatet e punës së tyre”, deklaroi Zguri.

Për Zgurin, veprimtaria e kësaj Task Force për monitorimin e zgjedhjeve të 25 qershorit do të shërbejë për parandalimin e ngjarjeve, apo fenomeneve të tilla në zgjedhjet e ardhshme.

Top Channel