Më 11 korrik 2017 bëhen 22 vjet nga masakra e Srebrenicës, një nga faqet më të errëta të historisë së fundit të Europës.

Verën e 1995 trupat serbo-boshnjake nën urdhrin e gjeneralit Ratko Mladiç hyn në qytet dhe në pak ditë masakruan 8372 boshnjakë, burra e djem.

Në këtë 22-vjetor u varrosën edhe mbetjet e 71 viktimave që nuk u identifikuan kurrë, por që tashmë do të jenë përgjithmonë në varrezat e Potocarit.

Kombet e Bashkuara e kanë quajtur masakrën e Srebrenicës si “mizoria më e madhe në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore”.

Vetëm pak ditë para shënimit të 22-vjetorit të mizorisë, gjykata e Hagës shpalli pjesërisht të fajshme shtetin holandez.  Gjatë luftës së Bosnjes, paqeruajtësit holandezë ishin ngarkuar të ruanin enklavën e Srebrenicës dhe mijëra personat që kishin gjetur strehim në atë që konsiderohej “një zonë e sigurtë”.

“Mundësitë e mbijetesës së meshkujve myslimanë që ndodheshin në kompleksin holandez ishin rreth 30%. Shteti është kështu përgjegjës për 30% të humbjeve njerëzore atje”, u tha në vendimin e gjykatës.

Qeveria holandeze kishte apeluar vendimin. Sipas saj, “Dutchbat” nuk mund të bënte asgjë kundër supremacisë serbe, e këmbëngul se trupat kanë qenë nën komandën e OKB-së. Por edhe të afërmit e viktimave e apeluan vendimin. Organizata “Nënat e Srebrenicës” është e mendimit se, Holanda është përgjegjëse për më shumë viktima.

Top Channel