Patozi, tur në bazën e PD-së

11/07/2017 00:00

Një tur për të takuar demokratët do të nisë edhe Astrit Patozi.

Ish-nënkryetari demokrat, i cili e quan farsë procesin aktual të kandidimit në Partinë Demokratike, do të jetë të mërkurën në mbrëmje me demokratë të Durrësit, një lëvizje që ndodh 10 ditë para votimit të anëtarësisë për kryetarin Lulzim Basha.

Ndërkohë, 140 anëtarë të degës së Partisë Demokratike të Vlorës kërkuan anulimin e procedurës për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike. Peticioni i tyre, i njëjtë me atë të firmosur nga 130 demokratë të Korçës të hënën, thotë se farsa e nisur nga zoti Basha duhet të deklarohet absolutisht e pavlefshme, përfshirë aktet e nxjerra nga kryetari dhe nënkryetarët.

Peticioni e bën fajtor Lulzim Bashën për atë që e quan disfata më e rëndë në historinë e Partisë Demokratike. Peticioni që po organizohet nga kundërshtarët e Bashës vë në dukje se zgjedhjet farse, të imponuara dhe konfliktuale mund të çojnë, më e pakta, në garë dhe opozitë formale dhe, më e shumta, në një ndarje të re politike e pasoja afatgjatë për opozitën.
 
Kundërshtarët e zotit Basha po bëjnë një përpjekje edhe për të mbledhur firmat për thirrjen e Këshillit Kombëtar, por deri tani nuk është bërë e njohur kërkesa për rendin e ditës.
 
Ndërkohë, ish-nënkryetarja demokrate Jozefina Topalli, me një takim me një zëdhënës të grupit parlamentar të CDU-së gjermane, e denoncoi Lulzim Bashën si një kërcënim për rrënimin e mëtejshëm të Partisë Demokratike.

Zonja Topalli thotë se vendi rrezikon të mbetet pa një opozitë të vërtetë.

Top Channel