Rama: Bashkëpunojmë edhe me Tom Doshin. Analizojmë Kavajën

06/07/2017 00:00

I ftuar në “Top Story” kryeministri Rama nuk ka përjashtuar bashkëpunimin me Tom Doshin, i cili ka fituar mandatin e deputetin në qarkun e Shkodrës, nën siglën e PSD-së.

“Ne do të bashkëpunojmë me të gjithë sepse për mua është mbi të gjitha e rëndësishme që të çojmë përpara një proces ku fiton Shqipëria, shqiptarët”, u shpreh kryeministri Rama.

Ndërsa në zgjedhjet e përgjithshme, flamuri rozë u valvit thuajse në të gjithë Shqipërinë, Kavaja surprizoi, edhe pse me pak vota diferencë, duke nxjerrë fitues kandidatin e PD-së, Isa Sakjan, në zgjedhjet e pjesshme për kryetar Bashkie.

I pyetur se nëse humbja e Kavajës, ishte ndëshkim ndaj modelit Elvis Rroshi, kryeministri Rama u shpreh se ende nuk është bërë një analizë e asaj se çfarë ndodhi në Kavajë, e për të kuptuar se çfarë e solli edhe humbjen e kësaj Bashkie.
 

Pjesë nga Intervista
Sokol Balla: Humbja e Kavajës, ishte ndëshkim ndaj modelit Elvis Rroshi?

Edi Rama: Nuk kemi bërë analizë të zgjedhjeve në Kavajë. Mendoj që në Kavajë janë bërë punë të mira për qytetin dhe komunitetin dhe ajo që ka rëndësi është që u bënë zgjedhje më të mira si asnjëherë tjetër në Shqipëri dhe në Kavajë. Ne do të bëjmë analizën tonë.

Sokol Balla: Tom Doshi, do të bashkëpunoni me të?

Edi Rama: Ne do të bashkëpunojmë me të gjithë sepse për mua është mbi të gjitha e rëndësishme që të çojmë përpara një proces ku fiton Shqipëria, shqiptarët. Nuk jam i interesuar për luftëra dhe konflikte, polemika dhe ndërkohë edhe unë vetë kur them që duhet të shohim nga vetja, të kërkojmë çfarë mund të përmirësojmë tek vetja. Ne duhet që të mobilizojmë maksimumin dhe ta gjejmë këtë tek vetvetja. Përsa më takon, ne do të kemi dorën e shtrirë të bashkëpunimit në mënyrë konstante dhe politika që do të bëjmë do të jetë politikë e punës. Ne do të flasim me punë dhe kemi mundësi të bëjmë transformime shumë të rëndësishme, të sulmojmë edhe ata sektorë ku kemi qenë të kufizuar, jo vetëm për shkak të LSI-së. kemi shumë punë dhe shumë detyrime karshi njerëzve saqë nuk kemi energji për të humbur për të bërë politikë të llojit të vjetër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA