Ambasadoret e Gjermanisë dhe Francës vlerësojnë zgjedhjet

05/07/2017 00:00

Ambasadoret  e Gjermanisë dhe Francës presin vazhdimin e reformave nga qeveria e re e dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit.

Susanne Schutz nga Korça dhe Christina Vasak nga Vlora përshëndetën ecurinë e procesit duke e cilësuar si korrekt.

“Ajo çka ne presim është vijimi i reformave nga qeveria shqiptare, në mënyrë që Shqipëria t’i afrohet sa më shumë BE-së. Nuk më takon mua të gjykoj rezultatin, kjo ishte një vendimmarje e qytetarëve shqiptarë, por gjykoj se ky është një shans për qeverinë për të vijuar në mënyrë të qartë dhe të vendosur reformat e nisura, duke menduar 5 prioritetet kyçe ku më përparësi kanë reforma në drejtësi dhe lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit; por edhe një shans më tepër për opozitën për të realizuar një opozitë sa më të fortë”, deklaroi Schutz.

Për ambasadoren franceze Christina Vasak, për të cilën ishte hera e dytë që monitoroi zgjedhjet, procesi ishte më i mirë se në 2103-n.

“Siç e ka vlerësuar dhe OSBE, këto zgjedhje kanë qenë korrekte. Sa i përket opinionit tim si vëzhguese e thjeshtë, krahasuar me 2013-n procesi është zhvilluar edhe më mirë. Megjithatë ka pasur probleme që kanë qenë edhe në zgjedhjet e kaluara e që do të zgjidhen. Sidoqoftë, procesi u zhvilluar në paqe. Shqipëria është në proces afrimi me BE-në. Është vend kandidat për aderimin në BE që në vitin 2014, status që nuk e kanë të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor. Ju keni përshkuar hapin e parë të integrimit. Është një punë e cila do kohën e vetë dhe populli shqiptar këtë e di mirë”, ka thënë Vasak.

Top Channel