Patozi: Basha më ofroi pazar, rezistencë me gjithçka

04/07/2017 00:00

Në Top Story, ish nënkryetari i PD, që aspiron kreun e partisë, thotë se partia Demokratike nuk mund të ecë përpara me Lulzim Bashën, i cili është, sipas tij përgjegjësi më i madh i humbjes më të rëndë në 27 vjet.

“Me këtë rezultat, unë po të isha në vendin e zotit Basha do e kisha të vështirë të qëndroja, jo kryetar, por edhe anëtar i thjeshtë partie. Partia Demorkatike nuk mund të ecë më përpara me zotin Basha, që pati mundësi 4 vjet të eksperimentojë diçka dhe që dështoi sepse i ngeli eksperimenti në dorë. Unë kam bindjen që nëse zoti Basha do vijojë të qëndrojë pas një procesi farsë, ka të gjitha mundësitë që ta çojë PD-në nga kategoria e dytë në kategorinë e tretë. Sepse sapo dha provën që të gjithë e pamë”, u shpreh Patozi.

Sa I takon garës për kreun e PD-së, ku zyrtarisht Patozi nuk do të jetë pjesë, ai thotë se ditët e fundit i është ofruar edhe një marrëveshje, që siç e cilëson ish nënkryetari demokrat, ishte një pazar.

“Më kanë propozuar që zoti Basha është i prirur të ketë një marrëveshje, pavarsisht asaj që ndodhi. Me mua nuk mund të ketë pazar dhe për shkak se nuk mund të ketë pazar me mua, ndodhi edhe skualifikimi im si kandidat për kreun e partisë, që është një turp i atyre që e morën vendimin, por mbi të gjitha i atij që e bëri propozimin dhe ky është zoti Basha”, tha ish nënkryetari i PD-së.

Patozi thotë se do të bëhen së bashku me mijëra demokratë, përpjekjet për ta rikthyer PD-në në shinat statutore.

“Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet, së bashku me disa kolegë, që ta kthejmë partinë në shinat e statutit. Shpresoj shumë që reagimi i demokratëve nga e gjithë Shqipëria, do të jetë i tillë, që nuk do ta lejojnë zotin Basha që të bëjë një proces të ekzekutuar që në startin e tij, me kapërcimin e çdo norme statutore dhe mbi të gjitha moralit politik”, tha ai.

Patozi thotë se do të reagojë ashpër edhe ndaj një ndërhyrjeje në proces nga Sali Berisha.

“Kam qenë bashkëpuntor i tij për 20 vjet, por kam pasur kurajon që kur ka qenë gabim, siç kam thënë edhe në studion tuaj,  ia kam thënë që është gabim. Jam i gatshëm që ta bëj edhe nesër,  nëse do të ndodhë”, u shpreh Patozi.

Top Channel