Bashkia për pallatin: Vula dhe firma e Lulit

03/07/2017 00:00

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku ka reaguar lidhur me debatin për ndërtimin pranë zonës së ish-Parkut.

Me anë të një postimi në “Facebook”, Mazniku, i kundërpërgjigjet Jamarbër Malltezit, duke publikuar dokumentin se ai është hartuesi i Vlerësimit Strategjik Mjedisor të planit të përgjithshëm vendor të hartuar nga Lulzim Basha dhe se në atë dokument, i cili parashikon ndërtime nga 2-8 deri në 8-11 kate.

Nënkryetari i bashkisë thotë se Malltezi është shprehur se nuk ka asnjë problem për mjedisin ky ndërtim. Më pas, duke ju referuar deklaratës së firmës ndërtuese, Mazniku ndalet tek ryshfeti që i është kërkuar. “Pas hartimit të planit nga Basha, firmosjes nga Berisha e vlerësimit nga dhëndri, kunati ka shkuar tek kompania t’i kërkojë haraç. Kjo ishte bashkia që trashëguam. Luli e planifikonte, dhëndri e vlerësonte, Saliu e firmoste, kunati arkëtonte”, shkruan nënkryetari i Bashkisë së Tiranës.

Sipas tij, në këtë situatë, e vetmja rrugë ishte të maksimizonim përfitimin publik, ku liston që nga sipërfaqja 11 500 m2 hapësirë publike, 5 mln euro taksë që do paguajë firma ndërtuese si dhe kompanisë i është kërkuar të ndërtojë një ndërtesë të re publike për bashkinë, 5-katëshe dhe me parkim nëntokësor.

“Pra, nga një situatë ku nuk kishim dot rrugëdalje ligjore prej planit Basha, firmës Berisha, vlerësimit Malltezi e gjobës Kunati, kemi maksimizuar interesin publik. Ky në thelb është konflikti, familjet Basha-Berisha-Malltezi-Kunati nuk kanë hall publikun, por pse fitimi i tyre në këtë punë shkoi tek publiku e jo tek xhepat e tyre. Kjo është e vërteta!”, mbyll postimi e tij Arbian Mazniku.

FOTO GALERI
4/4

Top Channel