Përplasja për pallatin, Basha akuzon Ramën dhe Veliajn. Kompania: Lejen e dha Basha

02/07/2017 00:00

Lulzim Basha u përfshi këtë të diel, në debatin mbi ndërtimin e një kompleksi banimi në një lulishte, pranë ish-parkut të autobuzave në Tiranë.

Me anë të një statusi në rrjetet sociale, Basha shprehej se “Lulishtja pranë parkut të autobuzave ishte një nga investimet e tij si kryebashkiak, në shërbim të qytetarëve të një prej zonave më të populluara të Tiranës”.

Por sipas tij, Erjon Veliaj, vegël e bindur në duart e oligarkisë që sundon vendin, e shkatërroi këto ditë lulishten dhe lejoi betonizimin e saj në favor të Besnik Sulajt, klientit të rëndësishëm të Edi Ramës. 

Por pas këtyre deklaratave, ka reaguar firma e ndërtimit në emër edhe të pronarëve të truallit, duke theksuar se leja është lëshuar në bazë të Planit të Përgjithshëm Vendor të Tiranës, i miratuar në vitin 2013 nga ish kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha. Firma “Arlis ndërtim ” shkon edhe më tej duke hedhur akuza në drejtim të Bashës.

“Në 2013-ën, Bashkia e asaj kohe na dërgoi Kunatin për t’i “falur” një pjesë të konsiderueshme të ndërtimit. Ne e refuzuam këtë, pasi ishte një “gjobë” për të lejuar diçka që vetë Plani i 2013-ës e lejonte. Kur ne refuzuam gjobën e Kunatit, z. Basha bëri një teater, duke e quajtur “lulishte”, pronën tonë private, si hakmarrje që nuk i falëm gjysmën e biznesit”, thuhet në reagimin e firmës.

Sipas “Arlis ndërtim”, nga ky investim, bashkia e Tiranës do të përfitojë 5 milionë euro taksa dhe ka kërkuar që 50% e sipërfaqes, të lihet e gjelbër, si lulishte për komunitetin.

“Në terma financiare, për kompaninë tonë, pagesa e kësaj takse gjigante dhe falja e gjysmës së pronës, komunitetit, është njësoj në vlerë me atë që kërkonte Kunati. Por ne pranuam më mirë t’ia japim këtë Bashkisë për interes publik, sesa një individi privat të lidhur me ish-kryetarin”, thuhet në deklaratë.

Top Channel