Peshkimi me korrent, kushërinjtë e viktimës në gjykatë

29/06/2017 00:00

Peshkimi me dinamit ose rrymë elektrike, përveç shkeljes ligjore ka edhe anën tjetër akoma më tragjike, atë të rrezikimit të jetës. Dhe rastet tragjike nuk kanë munguar.

E tillë është edhe ngjarja e prillit të këtij viti në fshatin Picallë të Tiranës, ku mbeti i vdekur shtetasi Besmir Dervishi, pasi së bashku me dy kushërinjtë e tij po tentonin të peshkonin me rrymë elektrike.

Sipas dëshmisë së dy kushërinjve, të cilët fatmirësisht shpëtuan, por që tani duhet të përgjigjen penalisht për veprën penale të peshkimit të gabuar, ditën e ngjarjes ata kishin zgjatur dy tela elektrikë nga një kabinë që ndodhej pranë lumit Erzen, për t’i futur telat në lumë.

Kështu kanë bërë, por i ndjeri Besmir Dervishi nga pakujdeisa ra në kontakt me ujin ku ishin futur telat e energjisë për të vrarë peshqit.

Rryma elektrike ka qenë e fortë duke i marrë jetën Dervishit, ndërsa dy kushërinjtë e tij tani janë të pandehur dhe do të gjykohen në Gjykatën e Tiranës.

Ata rrezikojnë një dënim që varion nga gjobë deri në dy vite burgim, por më tepër sesa dënimi penal ngjarje të tilla duhet të shërbejnë për ndërgjegjësimin e njerëzve që të shmangin mënyra të tilla të peshkimit me pasoja fatale për jetën.

Top Channel