
Një ngjarje e rëndë ndodhi mesditën e 25 qershorit, ku 2 fëmijë humbën jetën ndërsa laheshin në rezervuarin e fshatit Mënik.
Dy djem të moshave 11 dhe 10 vjeç u ndanë nga jeta tragjikisht, pasi i mori rrjedha e ujit të rezervuarit dhë ndërsa kishin tentuar të ulnin këmbët në tokë, u mbytën. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës, ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 12:20, kur në numrin e emergjencave 112 mbërriti një njoftim ku thuhej se tek ura e fshatit Mësin, në lumin Erzen u mbytën dy fëmijë.
Por, xhaxhai i një prej fëmijëve të mbytur thotë se fëmijët merrnin ende frymë kur i nxorrën në breg, por për fat të keq vdiqën në ambulancë, rrugës për në spital. Sipas tij, prindërit e dy të ndjerëve ishin duke pritur vizitat e të afërmve me rastin e Fiter Bajramit dhe se kur të përcillnin njerëzit do të niseshin për të votuar, kur papritur morën lajmin e keq.
Trupat e dy të miturve notonin mbi ujë. “Nuk i besonim veshëve. Nuk mund të ishte e vërtetë. Këto janë fjalët e fundit që mbaj mend deri kur pashë fëmijët në breg. Ishte hera e parë që futeshin për t’u larë në lumë, nuk e kishin bërë kurrë më parë”, tha xhaxhai i një prej fëmijëve të ndarë nga jeta tragjikisht në fshatin Mënik, mesditën e 25 qershorit.
Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes, detaje që do të dëshmojnë se cilat ishin shkaqet që çuan në një tragjedi të tillë.
Top Channel