Fiter Bajrami, festime në të gjithë botën

25/06/2017 00:00

Myslimanët rreth botës festojnë këtë të dielë Fiter Bajramin, që shënon fundin e Muajit të Shenjtë të Ramazanit, gjatë të cilit besimtarët agjëruan për 30 ditë, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.

Fiter Bajrami nisi kur hëna e re u dallua në qiell, duke e bërë festën të ndryshme në të gjithë botën. Miliona besimtarë u zgjuan që në orët e para të mëngjesit për të falur Namazin. Festa zgjat disa ditë dhe parashikon blerjen e rrobave të reja, shkëmbimin e dhuratave, si dhe vizita te familjarët e miqtë.

Presidenti sirian, Bashar al-Assad i kreu lutjet për festën e Bajramit të Madh në Hamà, hera e parë që zhvendoset kaq larg brenda Sirisë që prej nisjes së luftës civile. Kjo tregon rritjen e besimit dhe forcimin e pozitave të forcave qeveritare.

Televizioni shtetëror transmetoi pamjet e Assadit teksa merrte pjesë në lutjet e mëngjesit në një xhami të madhe në Hamà, duke qëndruar pas imamit të saj. Agjencia shtetërore e lajmeve “Sana” citoi një predikues të thoshte se, prania e Assadit në qytet me rastin e Fiter Bajramit tregonte se fitorja e rikthimi i rendit në vend ishte vetëm pak hapa larg.

Si çdo vit, festa e Bajramit është dita kur palestinezët luten për fundin e konfliktit me Izraelin. Në një mesazh për popullin e tij, presidenti palestinez tha se shpresonte për çlirimin e Jeruzalemit. “U themi shteteve arabe se jemi pjesë e tyre dhe shpresojmë që vendi ynë të bashkohet pas një udhëheqësi të vetëm, që do të mbështesë palestinezët”, ishte mesazhi i Mahmoud Abbas.

Top Channel