Tritol zyrës elektorale. LSI-ja akuzon socialistët; PS: Inskenim

23/06/2017 00:00

Një shpërthim ndodhi në një zyrë elektorale të LSI-së në Durrës. Sipas policisë, sasia e eksplozivit ishte e vogël dhe shkaktoi vetëm dëme materiale.

Autorët e ngjarjes që ndodhi pranë kryqëzimit të stadiumit “Niko Dovana” nuk janë identifikuar dhe Policia e Durrësit deklaron se po punon për kapjen e tyre.

Kreu i LSI-së në Durrës, Lefter Koka akuzoi Partinë Socialiste.

“Kjo vjen pas thirrjes së eksponentëve kryesorë të PS-së, që i bëjnë thirrje policisë që pas orarit të punës të vazhdojë veprimtarinë e vendosjes së tritolit. Thirrje socialistëve të ndershëm, që situata të tilla që i kemi kaluar në vitet 96-97, nuk kanë lidhje me ta, por me një grup të vogël që e kanë pagëzuar Rilindja. Në Durrës të mos luajnë se nuk do të ketë forcë që të na pengojë. Një kundërshtar kemi, Lulin dhe Rilindjen. Do të përballen me forcën e të rinjve dhe të rejave. Le ta përjetojnë me qetësi ndryshimin e pushteteve”, tha Koka.

Dega lokale e Partisë Socialiste, përmes një deklarate të shpërndarë në rrjetet sociale, distancohet nga akte të tilla vandale. “Shprehim keqardhje që LSI, ende pa u kryer asnjë hetim nga organet ligjzbatuese, nxiton të akuzojë. Nxitimi për të akuzuar, më së shumti, ngre dyshimet për një ngjarje të inskenuar nga vetë LSI-ja me synim përdorjen e saj për qëllimet elektorale të ditës. Asnjë tentativë për tensionimin e situatës nuk do mund të dalë me sukses, pasi fushata në tërësi ka qenë e qetë dhe pa probleme”, thuhet në deklaratën e PS-së në Durrës.

Top Channel