Rrugëtimi i Ramës, fushata nëpër Shqipëri e socialistëve

23/06/2017 00:00

Berati ishte një nga ndalesat e Edi Ramës në këto ditë fushate. Një fushatë e gjatë dhe e lodhshme, shumë intensive, me 6 apo 7 takime në ditë. Takimi elektoral zgjat rreth 1 orë, por përgatitja kërkon më shumë kohë.

Është ora 5 e pasdites. Karriget, banerat, dritat, regjia, gjithçka është gati nga stafi i PS-së. Sigurimi ka mbërritur përpara kryeministrit, ka rrethuar zonën dhe gjithçka duket gati për orën 19, për të nisur takimin elektoral.

Ka nga ata që fjalën e kandidatëve socialistë dhe kreut të qeverisë kanë zgjedhur ta ndjekin nga lulishtja në qendrën e qytetit, pranë Bashkisë, të tjerë nga kafenetë aty pranë. Dhjetëra simpatizantë, takimin e ndjekin nga ballkonet e shtëpive.

Kryeministri mbërrin, rrugën e përshkruan në këmbë me stafin e ngushtë dhe ish-ministrat Klosi e Felaj, pjesë e listës së PS-së për Beratin.

Në sfond dëgjohet kënga e përzgjedhur nga socialistët si kolonë zanore e fushatës, kënga zyrtare e “Euro 2016” nga David Guetta dhe Zara Larsson, “This one’s for you Albania”.

Kështu ka zgjedhur të dalë në fushatën e këtij qershori, sportiv dhe me sloganin e fushatës në “T-shirt”, “Për Shqipërinë që duam”, herë në të bardhë e herë në të zezë. Kombinimi është njësoj në këtë takim, në veshje dhe atletet sportive.

Kryeministri ulet, fjalimi i tij është i fundit. Pavarësisht lodhjes, që ende nuk i dallohet në portret pas 4 takimeve të paradites, nuk ngurron të këmbejë batuta me Blendin Klosin, apo të vëzhgojë organizimin me vigjilencën që e karakterizon.

Fjalimet vazhdojnë, e po ashtu Edi Rama nuk harron që ndonjëherë t’i hedhë sytë edhe nga telefoni i tij, apo të këmbejë mesazhe. Është radha e tij, me mesazhe drejtuar beratasve, duke u kërkuar votën më 25 qershor për të pasur i vetëm drejtimin e qeverisë pas 25 qershorit.

Por dita e tij nuk mbyllet me kaq. Vetëm pak metra më tutje, “Top Story” ka ngritur studion e improvizuar pranë Urës së Goricës. Edhe aty gjithçka është gati për intervistën e parë jashtë një studioje televizive.

Qytetarët qëndrojnë në trotuarin përballë, duke pritur bashkë me gazetarin Sokol Balla mbërritjen e kryeministrit. Dhe ai mbërrin, sërish sportiv, por këtë herë me një xhaketë veshur, ashtu siç ekrani e kërkon mbrëmjeve.

Intervista zgjat më shumë se një orë dhe mesazhet kryesore, Edi Rama i përcjell për publikun dhe elektoratin nga studio e “Top Story”-t.

Dita mbyllet këtu e pas përshëndetjes, kryeministri i drejtohet Tiranës për pak orë çlodhjeje, e për të nisur të nesërmen një ditë tjetër të gjatë e intensive fushate.

Top Channel