Rrugëtimi i Metës e Vasilit, fushata nëpër Shqipëri e LSI-së

23/06/2017 00:00

Ilir Meta dhe Petrit Vasili ishin të pandarë në këtë fushatë elektorale. Më shumë se kurrë, këtë lidhje ata e treguan në Berat, qytetin bastion të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ku u ndalën më shumë se një herë.

Ndërsa Vasili e Meta zhvillonin takimet e tyre elektorale në Kuçovën ngjitur, në Berat, në sheshin kryesor kishte nisur puna për organizimin e takimit elektoral. Stafi i LSI-së e nisi punën rreth orës 16, për takimin që pritej të niste në orën 19.

Karriget u vendosën në vendet e përcaktuara, altoparlantët, kamerat, skena kryesore ku do të mbaheshin fjalimet ishin gati. Berati ishte i gjallë, si për të pritur mitingun e radhës, dy ditë pasi pak metra më tutje ishte mbajtur mitingu i Partisë Socialiste.

Simpatizantët e LSI-së nisën të mblidhen rreth orës 18, ku e kuqja e LSI-së, numri 1 dhe motoja “Një shans për të gjithë” filluan të mbushin sheshin qëndror e rrugët e Beratit. Pothuajse gjithçka ishte gati.

Disa u ulën në karriget e vendosura përpara podiumit të fjalimeve, disa të tjerë këtë takim elektoral e përcollën nga lulishtja, apo nga kafenetë ngjitur.

Në Berat, kjo forcë politike tregoi edhe njëherë se di të luajë mjaft mirë me kartën më të fortë, rininë. Të rinjtë e LRI-së rrethuan podiumin, ku pas pak minutash do të ngjitej presidenti i zgjedhur.

Zhurma e Beratit, këtë pasdite tërhoqi edhe vëmendjen e vëzhguesve të OSBE-ODHIR-it, të cilët qëndruan për më shumë se 60 minuta në këmbë për të ndjekur mitingun elektoral.

Policia kishte siguruar zonën, ndërsa rruga ku pritej të mbërrinte eskorta e Presidentit Meta ishte mbyllur për makinat e tjera. Petrit Vasili mbërriti para paraardhësit të tij, por takimi nuk mund të niste pa udhëheqësin historik të LSI-së.

Ilir Meta erdhi, dhe me qetësinë që e karakterizon u takua me kandidatët e ish-partisë së tij, nga Vasili, të cilit i besoi partinë, dhe nga dhjetëra të rinj që e pritën në këmbë, nën ritmin e kolonës zanore të LSI-së.

Të ulur përkrah njëri-tjetrit, dy drejtuesit e lartë të Lëvizjes Socialiste për Integrim përcollën fjalimet e të rinjve që garojnë më 25 qershor. Marrëdhënien e ngushtë mes njëri-tjetrin e përcollën në çdo moment, përmes batutave dhe fjalive konfidenciale.

“Berati dhe Skrapari janë dy fortesat elektorale të partisë së Ilir Metës. Presidenti i zgjedhur është lindur në një fshat malor të Skraparit, e nga aty nisi gjithashtu edhe karriera e tij politike. Shpura e LSI-së mbërriti 2 ditë pas mitingut të Ramës dhe batutat e kryeministrit nga Berati për Ilir Metën nuk janë pritur aspak mirë prej tyre”.

Edhe peshën e akuzave, kritikave për Ramën e Bashën, si dhe premtimet e ndanë të dy, fillimisht Vasili dhe në fund Ilir Meta.

Edhe nga Berati, Ilir Meta tregoi se, jo vetëm mbështet, por edhe e orienton Vasilin në detyrën e re në krye të LSI-së.

Meta, zhveshur nga kostumi i Presidentit përgjatë këtyre ditëve intensive të fushatës, por edhe të ngarkuara politikisht, nuk ngurroi t’i kujtojë kryeministrit, që në Berat kishte mbërritur dy ditë përpara tij, se aty nuk fiton dot.

Krenar për faktin se kandidatët e LSI-së për Beratin janë lindur dhe janë rritur në këtë qytet, Meta kërkoi votën edhe për Petrit Vasilin, si kryeministrin e ardhshëm, ndonëse nuk munguan batutat për origjinën himariote të tij.

Pas takimit elektoral për rreth 90 minuta dhe largimit të Presidentit dhe stafit të tij, qyteti iu rikthye rutinës së tij, kafeneve dhe shëtitjeve të mbrëmjes.

Top Channel