Rrugëtimi i Bashës, fushata nëpër Shqipëri e demokratëve

23/06/2017 00:00

Fushata e Lulzim Bashës ishte intensive, me mitingje elektorale, por edhe bashkëbisedime me banorët, apo ecje në qytete, si një mundësi për të biseduar nga afër me biznese e tregtarë.

Një ditë fushate ishte e gjatë, me disa takime përgjatë 24 orëve, nga Veriu në Jug. Kukësi ishte një nga ndalesat e tij, ku takimi niste në orën 10 të paradites.

Skena është ngritur herët, podium i fjalimeve gjithashtu, slogani i fushatës “Republika e Re” qëndron në krye. Kënga e përzgjedhur si kolonë zanore e fushatës së demokratëve, “Under Control” e Calvin Harris & Alesso, është ngritur lart për të tërhequr njerëzit.

Stafi ka përgatitur gjithçka, madje përpara takimit shpërndan bluzat e bardha me sloganin “Voto 6”, flamuj të PD-së, apo dhe foton e Lulzim Bashës me presidentin amerikan Donald Trump.

Nuk mungojnë në ditët e fundit të fushatës, pas vizitës së kryedemokratit në Shtetet e Bashkuara, edhe flamujt amerikanë.

Rreth gjysmë ore përpara mbërritjes së Lulzim Bashës, sheshi ku është vendosur të mbahet takimi fillon të mbushet me simpatizantë të Partisë Demokratike. Ora është pothuajse 10 dhe stafi kujdeset t’u bëjë thirrje qytetarëve të mos rrinë nën hijen e pemëve, por t’i afrohen podiumit për të mirëpritur kryetarin.

Të rinjtë kanë rrethuar podiumin me flamuj në duar. E në një nga qytetet bastion të së djathtës, Lulzim Basha nuk mund të mos pritej me daulle nga qytetarët.

Kryebashkiaku i djathtë i Kukësit, Bashkim Shehu iu është bashkuar qytetarëve, takohet me ta disa momente dhe shkon drejt qendrës së qytetit, për të pritur atje Lulzim Bashën, i cili është afër.

Takimit elektoral i bashkohen edhe vëzhgues të OSBE-ODHIR-it, të cilët nuk e humbasin rastin për të ndjekur nga afër një nga takimet e kryetarit të opozitës në veri.

Kanë kaluar pak minuta nga ora 10 dhe Lulzim Basha mbërrin, në këmbë, shoqëruar nga kandidatët demokratë dhe rrethuar nga sigurimi i tij.

Qëndron mes kandidatëve demokratë në listën e Kukësit, por edhe deputetëve që zgjodhi të mos i kandidojë më, mes tyre deputetja e Tropojës, Mimoza Hajdarmataj. Dhe simboli i demokratëve, ai me dy gishtat lart, e karakterizon në çdo moment.

Pas kandidatëve është radha e Lulzim Bashës për t’u ngjitur në podium. Pavarësisht ditëve të nxehta të qershorit, temperaturave mbi 30 gradë, Lulzim Basha, ndryshe nga rivali politik, ka vendosur të mos dalë për asnjë moment nga vetja, duke mbetur “besnik” i veshjeve serioze, por jo kostumeve e kollareve, si një mënyrë e përzgjedhur kjo me shumë kujdes për të qenë sa më pranë qytetarëve.

Edhe në fjalimin e tij ruan etikën, gjuhën e drejtpëdrejtë dhe mesazhet i ka të qarta. Kërkon nga Kukësi, Hasi e Tropoja, votën për PD-në më 25 qershor.

Ora shënon 11 dhe mitingu në Kukës përfundon. Basha i drejtohet makinës së tij, shoqëruar nga dhjetëra simpatizantë që përpiqen t’i shtrengojnë duart. Ky ishte vetëm takimi i parë i ditës. Në Rrëshen, Rubik e Mamurras ka vendosur të ecë në rrugët e qytetit për t’u takuar me qytetarët.

Njerëzit i takon kudo, në kafene, në ballkonet e shtëpive, në dyqane. Pozon me të rinjtë në rrugët e qytetit, shkëmben batuta me të gjithë, bashkëbisedon edhe me ata që politikën ende nuk e kuptojnë, ndalon makinat në rrugë.

Mban edhe aty një fjalim falenderues për mikpritjen dhe përpara ka ende rrugë. Surprizën e gjen në autostradë, para se të hyjë në Mamurras, ku dhjetëra makina kanë zënë rrugën dhe kryedemokratin e presin kështu me thirrjet “fitore, fitore”.

Top Channel