Rama: E diela vulos të ardhmen

23/06/2017 00:00

I pari që mbajti fjalën në mitingun përmbyllës të PS në Tiranë, ishte Erjon Veliaj, që tha se kryeqyteti do ta mbështesë Edi Ramën dhe PS ashtu siç ato kanë mbështetur Tiranën.

“Edi Rama ishte për ne, kur Tirana kishte nevojë. Sot ka nevojë Edi Rama për Tiranën dhe Tirana do ngrihet në këmbë për Edi Ramën dhe për Partinë Socialiste të Shqipërisë”, tha Veliaj,

Si një nga arritjet më të rëndësishme të 4 viteve në qeverisje, kreu i partisë Socialiste nënvizoi stabilitetin ekonomik, që siç tha, kërcënonte seriozisht vendin.

“Gjetëm përpara një mal të fshehur me borxhe. 720 milionë dollarë borxhe të papaguara. si ka mundësi që vazhdojnë dhe përsërisin të njëjtën recetë. Nuk ka ulje taksash dhe rritje shpenzimesh, që sjellin zhvillim, po nuk pati shtet…shtet…shtet”, tha Rama. 
 
Në mbyllje të fjalimit të tij, Rama tha se vota të dielën nuk do të jetë për PS, por për të ardhmen e Shqipërisë.

“Ne jemi në këtë betejë, për të bërë Shqipërinë që duam, që porta e drejtësisë, të cilën e hapi vetëm partia Socialiste e Shqipërisë, të mos mbyllet, që vetingu të zbatohet deri në fund. Nuk duam një votë për bindje, po një votë kuqezi për dinjitetin e çdo njeriu që shkon në një zyrë shteti. Jo një votë që të fitojmë ne dhe të humbin ata, por një votë që më në fund, qytetari ta shikojë zyrtarin nga lart poshtë dhe jo zyrtari të shkelë me këmbë qytetarin”, u shpreh Rama.

Rama nuk e përmendi LSI-në, por më herët, në një intervistë për Zërin e Amerikës, tha se nuk është penduar që ka zgjedhur president Ilir Metën dhe e quan atë për kohën, zgjedhja e duhur, edhe pse e shigjetoi duke thënë se presidenti i zgjedhur, tashmë ka dalë nga shinat e arsyes.

Top Channel