Basha: Votë për ekonominë. Të dielën nuk votohet për Ismail Qemalin

23/06/2017 00:00

Për Lulzim Bashën 25 qershori është dita kur shqiptarët të ndëshkojnë me votë Edi Ramën për keqqeverisjen dhe mosmbajtjen e premtimeve.

“Ky e kishte timonin për 4 vjet. Mbrëmë kërkoi timon anije. Nuk duhet ta ketë kurrë timonin”, tha Basha.

Lulzim Basha tregoi në Kurbin se në duart e kujt duhet të ishte timoni i qeverisjes.

“Timon për jetën tuaj me Lulzim Bashën Kryeministër do ta keni ju, sepse do të punoj për punën dhe pasurimin e gjithsecilit prej jush”, u shpreh kreu i PD.

Lulzim Basha u kërkoi shqiptarëve të mos e besojnë Edi Ramën, kur flet për të dielën si një udhëkryq ku do të vendoset për flamurin e Ismail Qemalit dhe Skënderbeut.

“Ismail Qemali, babi i pavarësisë, është në zemrat tona. Skënderbeu është identiteti ynë kombëtar, por të dielën le t’i themi Edi Ramës nuk votohet për Skënderbeun, nuk votohet për Ismail Qemalin, por votohet për ekonominë. Dhe ka dy zgjidhje, ose do të zgjidhni të mbani këto taksa me Edi Ramën ose do të votoni për ekonominë e fortë me taksa të ulëta, me planin tim ekonomik”, tha Basha.

Pjesëmarrja në votime është apeli kryesor që ka kreu i opozitës për shqiptarët. “Që ndryshimi të jetë sa më i shenjtë, fitorja duhet të jetë sa më e thellë. Prindër, merrini votuesit për herë të parë. Të rinj e të reja, merrini gjyshërit. Asnjë të mos mungojë”, tha kreu i PD-së.

Top Channel