Basha në Top Story: Nuk e dua timonin për vete

23/06/2017 00:00

Për Lulzim Bashën, programi ekonomik i Partisë Demokratike është arma e fortë e opozitës në zgjedhjet e së dielës.

Por nëse nuk arrin të marrë 71 mandate për të qeverisur, a është ai për atë që po përflitet si koalicioni i madh pas zgjedhjeve?

“Unë e kam çliruar veten nga kjo dhe nuk jam në këto zgjedhje për të kërkuar timonin.  Nuk dua timonin për veten time, por dua timonin për të gjithë qytetarët, pa asnjë dallim, ta keni timonin vetë. Nuk e dua ndryshe. Nuk dua të ulem në një karrigë kryeministrore me ganxhat dhe zinxhirët e marrëveshjeve politike, të cilat kanë synim pushtetin e partive dhe nuk sjellin asgjë për njerëzit. Nuk e dua, nuk më duhet. Më duhet vetëm nëse ne mund të sjellim një ndryshim real për njerëzit dhe këtë ne e sjellim me numrin 6, me planin tonë ekonomik. Thënë kjo, çdo forcë dhe faktor politik që mbështet këtë program, këtë vizion të vetëm në këto zgjedhje, nuk do të gjejë te Lul Basha derën e mbyllur, por do të gjejë mundësinë për të bashkëpunuar për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Shqiptarët kanë në dorë që të na mbështesin, që ne të qeverisim pa bërë asnjë kompromis, me të vetmin plan ekonomik që sjell ekonominë e fortë, me taksa të ulta, me vende pune, rrit bazën e taksimit dhe na jep mundësinë të financojmë shkollat e fëmijëve me orar perëndimor”, tha kreu i PD-së.
 
Basha në Top Story foli edhe për ndryshimet kushtetuese pas 25 qershorit, që sipas tij duhet të kthejnë sistemin mazhoritar dhe parlamenti të ketë 100 deputetë.

Po ashtu ai propozon që kryeministri të zgjidhet dhe të shkarkohet nga populli, ndërsa deputetët të kenë një mandat 2 vjeçar dhe të shkarkohen nga zgjedhësit përmes referendumeve në zonat ku janë zgjedhur.

Top Channel