Rrënimi i xhamisë në Mosul, kryeministri i Irakut: Mposhtje e ISIS

22/06/2017 00:00

Shkatërrimin e xhamisë “Grand Al-Nuri” të Mosulit dhe minaresë së veçantë të saj, kryeministri irakian Haider al-Abadi e cilësoi si deklaratën zyrtare të mposhtjes së Shtetit Islamik.

Xhamia më e famshme sunite e qytetit mban emrin e Nur al-Din Mahmoud Zangi, udhëheqësit mysliman të njohur për nisjen e një xhihadi kundër kryqtarëve të krishterë.

ISIS pretendon se kompleksin e shkatërroi një avion amerikan, por Shtetet e Bashkuara mohojnë që kjo të jetë e vërtetë. Sipas zëdhënësit të koalicionit që lufton grupin ekstremist në Irak, në zonën ku ndodhej objekti i kultit nuk ka pasur sulme ajrore.

Xhamia më shumë se 800-vjeçare ishte vendi, ku kreu i Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi shpalli kalifatin në vitin 2014.

Shkatërrimi i saj ka ngjallur reagime të ashpra. Një prej komandantëve të lartë amerikanë në Irak, gjenerali Joseph Martin tha se ISIS ka rrënuar njërin prej thesareve më të çmuara të Mosulit dhe të të gjithë vendit.

“Ky është një krim kundër banorëve të qytetit të Mosulit dhe mbarë Irakut, – u shpreh ai, – dhe një shembull i qartë i faktit se përse kjo organizatë brutale duhet asgjësuar krejtësisht”.

Personat e ngarkuar me përgjegjësinë e ofensivës së trupave të Bagdadit në qytet pretendojnë se ato ndodheshin vetëm 50 metra larg “Grand Al-Nuri”-t, kur ISIS kreu krimin historik të radhës. Xhamia ishte ndërtuar në vitin 1172. Minareja e saj njihej si “Al-Hadba”, ose “gunga”, për shkak se anonte nga njëra anë, si Kulla e Pizës në Itali.

Top Channel