Rama-votuesve: Mos më lini peng të partive të tjera

22/06/2017 00:00

Në një mesazh dërguar elektoratit, kryeministri Edi Rama ka kërkuar votën për PS, në mënyrë që të mos mbetet peng i partive që sipas tij nuk kanë prioritet interesat e vendit.

Rama ka ftuar gjithashtu qytetarët që ditën e zgjedhjeve të hedhin votën e tyre, në mënyrë që të mos u lënë shteg këtyre subjekteve që shtetin ta përdorin për pushtetin e tyre.

“Mos harroni, beteja jonë nuk ka mbaruar dhe në mes të betejës nuk është momenti për t’u dorëzuar, por për të vazhduar të luftojmë.

Për të marrë terren për të shkuar më tej përpara dhe për të arritur më shumë. Si mund të jetë Shqipëria më mirë nesër nëse ajo nuk bëhet edhe më e mirë, nëse qeverisja nuk bëhet edhe më e mirë, nëse gjërat në tërësi nuk i bëjmë së bashku edhe më mirë.

Çdo abstenim nuk është larje hesapesh me atë që ke votuar herën e kaluar, por është një mbështetje për ata që as të shkon mendja t’i votosh.

Jepini me votën tuaj mendimin kë duhet të marrë shteti shqiptar në punë për të drejtuar punët e vendit, për të punuar për Shqipërinë shtet që e duam të gjithë dhe që do të ketë ditë më të mira për secilin prej jush.

Forca dhe mos më lini peng të partive që shtetin e duan si tepsi për pushtetin e tyre. Më ndihmoni me votën tuaj që të bëjmë së bashku shumë më tepër për njëri-tjetrin, për ju të gjithë dhe Shqipërinë që të gjithë e duam”, ka thënë Rama.

Top Channel