Muri SHBA-Meksikë, Trump do të vendosë panele diellore

22/06/2017 00:00

Donald Trump nuk i ka harruar planet e murit me Meksikën, e mendon se ka gjetur edhe zgjidhjen për uljen e kostos së tij: ta mbulojë strukturën me panele diellore.

“Panelet, – u shpreh Trump gjatë një mitingu në Ioëa, – do të ofrojnë energji të lirë, duke ndihmuar kështu të shlyhet pagesa e murit të shumëdiskutuar”.

“Po mendojmë për diçka unike. Të mos harrojmë se po flasim për kufirin jugor, plot me diell e plot nxehtësi. Themi të ndërtojmë një mur që krijon energji, e kështu nxjerr edhe paratë e shpenzuara për të. Sa më lartë të ngrihet, aq më i vlefshëm bëhet. Goxha imagjinatë, apo jo? Është e gjitha ideja ime”, tha Trump.

Panelet diellore, në fakt kanë qenë të përfshira në projektet e kompanive të ofruara për ndërtimin e murit. Ftesës së Departamentit të Sigurisë për të paraqitur idetë e tyre i janë përgjigjur më shumë se 200 kompani.

Premtimi i Trumpit për të ngritur një mur në kufi me Meksikën, me qëllimin të ndalohet emigracioni i paligjshëm dhe trafiku i drogës, u kthye në një nga shtyllat e fushatës së tij. Manjati ka këmbëngulur gjithmonë se, faturën e ndërtimit të strukturës ndarëse do ta paguajë Meksika, por presidenti Enrique Pena Nieto ia bëri të qartë se vendi i tij nuk do të japë asnjë qindarkë.

Top Channel