Vlorë, vrasja për hakmarrje

21/06/2017 00:00

Fakti që 40 vjeçari nga Tropoja, Fatjon Sinani ishte shpërngulur për të jetuar në qytetin e Vlorës, i ka shtyrë hetuesit të dyshojnë se vrasja e tij mund të ketë lidhje me shkaqe hasmërie.

Për këtë arsye policia po heton mbi të kaluarën e viktimës i cili u ekzekutua mbrëmjen e së martës, në banesën e tij në lagjen “Pavarësia” në sy të bashkëshortes. Policia nuk ka mundur të marrë asnjë informacion as nga i ndaluari si i dyshuar si një nga autorët e vrasjes, Neritan Qejvani, i cili nuk ka pranuar të flasë dhe ka mohuar përfshirjen.

Policia ka sekuestruar edhe një automjet me targa gjermane më të cilin është larguar edhe autori i dytë ndërsa në brendësi të mjetit është gjetur edhe arma e krimit, një pistoletë beretë.

Në kushtet kur policia nuk ka një pistë konkrete, po hetohet edhe ndonjë konflikt i kohëve të fundit ku mund të jetë përfshirë viktima, i cili punonte në ndërtim dhe sipas informacioneve gjendej në kushte të vështira ekonomike. Por pak minuta pak vrasjes, një shpërthim i fuqishëm tronditi qytetin bregdetar.

Një automjet “Ford” i parkuar pranë bashkisë u hodh në erë nga një sasi eksplozivi por fatmirësisht nuk pati të lënduar.

Pronari i mjetit, Elton Ismailaj rezulton me precedentë penal dhe ngjarja dyshohet të ketë lidhje me të kaluarën e tij.

Top Channel