Blushi: Minimumi jetik, tejet i rëndësishëm. Kemi kapacitete për përfaqësim dinjitoz

21/06/2017 00:00

Kreu i Libra-s, Ben Blushi, ishte i ftuar sonte në emisionin “Top Show”, ku foli për projektin e tij politik.

Blushi theksoi edhe një herë rëndësinë e miratimit të minimumit jetik, ligj të cilin ai e propozoi në muajin janar, në parlamentin e Shqipërisë.

“Sot 400 mijë njerëz jetojnë me 400 lekë të vjetra në ditë. është shumë e rëndësishme që çdo familje të marrë një asistencë jo më pak se 170 mijë lekë të vjetra në muaj. Fatura e kësaj kostoje do të përballohet me anulimin e konçesioneve dhe me mbledhjen e taksave të papaguara”, u shpreh Blushi.

Blushi gjithashtu garantoi se ka të gjitha burimet njerëzore në partinë e tij, për të përballuar qoftë sfidën qeverisëse, qoftë atë të të bërit opozitë.

“Ne i kemi të gjitha kapacitetet njerëzore për të përballuar çdo sfidë. Unë nuk mund të parashikoj se sa mandate do të marrim në zgjedhje, por u kërkoj shqiptarëve të na japin mundësinë të jemi në kuvend sa më të shumtë, qoftë edhe për të bërë një opozitë dinjitoze”, u shpreh kreu i Libra.

Blushi theksoi se partia që ai drejton, synon një rritje graduale të peshës politike në vend.

Top Channel