Rama në Paskuqan: Zhvillim ekonomik për forcimin e shtetit

20/06/2017 00:00

Kryeministri Edi Rama është ndalur këtë të martë në Paskuqan, ku përpara simpatizantëve socialistë ka deklaruar se ndryshimi mes PS dhe PD është i dukshëm.

“As nuk krahasohet skuadra e Lulit me skuadrën tonë”, ka thënë Rama, i cili u ka kujtuar të pranishëmve rëndësinë që merr vota e 25 qershorit.

“Duhet menduar se më 25 qershor do të votojmë për fëmijët dhe mos mendoni se vota nuk ka rëndësi, ndryshe sot Shqipëria do të ishte si 44 muaj më parë. Si drejtësinë, policinë dhe të tjerat i ka ndryshuar vota”, ka thënë Rama.

Ai u ka kërkuar gjithashtu votuesve që të mos mendojnë se të gjithë janë njësoj dhe ka paralajmëruar se, “çdo votë që nuk hidhet në kuti është një votë për anën e gabuar”.

Rama ka vijuar më tej me premtimet e tij, duke e vënë theksin tek ekonomia dhe rëndësia e “bërjes shtet”.

“Në 4 vitet e ardhshme ne mund ta rrisim ekonominë mbi 5 për qind. Ne mendojmë të rrisim ekonominë dhe punësimin në mënyrë të qëndrueshme, për të bërë shtet”, ka thënë Rama duke i cilësuar premtimet e rivalëve për ulje taksash si “karrem për të kapur peshkun”.

“S’ka zhvillim ekonomik pa shtet dhe shteti ka disa shtylla që ne kemi filluar t’i vendosim dhe që të vazhdojmë t’i ngremë unë nuk mund ta bëj këtë i vetëm, më duhet vota juaj”, ka thënë Rama.

Top Channel