Në Elbasan, kryeministri Edi Rama foli për marrëdhënien me ish-aleatët e LSI-së në qeverisje, të cilët i akuzoi se kanë votuar reformat për interesa të ngushta.

“Më vjen sinqerisht shumë keq që aleatët tanë, me të cilët ishim në koalicion, bëmë reforma shumë të rëndësishme, bëmë punë shumë të mira për të ndërtuar shtetin që ne duam, sot kanë dalë nga binarët e arsyes. Çirren, bërtasin dhe kërcënojnë”, tha kryeministri.

Rama ironizoi edhe premtimet e të gjithë kundërshtarëve politikë, duke komentuar edhe foton e Lulzim Bashës me Presidentin Donald Trump.

“Ata magjistarët e fushatave që vijnë vërdallë nëpër Shqipëri dhe thonë se kanë program gjermano-amerikan. Pa pikë zori, kërkon të shesë një fotografi me Presidentin e Amerikës. Unë ju siguroj që po ta shikojë Presidenti atë fotografi, nuk e njeh fare atë çunin. Tjetri del dhe thotë se ka një plan, por mbrapa ka një tjetër që vetëm çirret e ulëret. Po kur del dhe Beni, thotë se do ju japë 1000 euro për bebe. Lulin e kanë provuar tironsit, është shalqi me provë. E çuan 4 vite në bashki dhe larg qoftë t’i turresh prapë atij shalqiu. Doli kungull”, deklaroi Rama.

Ndaj, Rama kërkoi votën vetëm për Partinë Socialiste: “Këta janë të gjithë një tufë artistësh cirku. Këta nuk kanë lidhje me atë që ka nevojë ky vend sot. Votat për ta janë vota të hedhura në lumë”.

Top Channel