Fushata/ Meta: Punë për 100 mijë të rinj. Kreu i PDIU: Do të ulim taksat

20/06/2017 00:00

Ilir Meta në Shijak foli për ekonominë, ku përsëriti premtimin e LSI-së për hapjen e 170 mijë vendeve të reja të punës, nga të cilat 100 mijë do të jenë për të rinjtë.

“Të japim mundësi për formim profesional, të japim mundësi për grante, për kredi me interes të butë për të hapur biznese, për të çuar para planin për hapjen e 100 mijë vendeve të reja të punës për të rinjtë, duke subvencionuar pagën për çdo të ri që punësohet nga një punëdhënës për një kohë të caktuar”, tha Ilir Meta.

Idrizi te tregu “Çam”, kreu i PDIU: Do të ulim taksat

Shpëtim Idrizi zhvilloi takime në tregun “Çam” në Tiranë, nga ku shprehu bindjen se ulja e taksave do të rrisë të ardhurat në duart e biznesit.

“Akoma ekonomia shqiptare nuk është strukturuar dhe nuk është një ekonomi e qëndrueshme me prioritete, e për këtë arsye më mirë taksa të ulëta dhe të ardhura në duart e biznesit dhe qytetarëve, pra ulja e tatimit te ardhurave personale. Ata do i përdorin shumë mirë ato për të rritur biznesin, por edhe për të rritur konsumin”, tha kreu i PDIU.

Mediu: Votë për PD, kreu i PR: Të rikthehen të larguarit

Fatmir Mediu zhvilloi takime në Cakran, Gjokaj dhe Picar, ku akuzoi deputetët që ndryshojnë pjesëmarrjen me parti të ndryshme dhe ftoi të gjithë demokratët e larguar dhe republikanët që të votojnë PD-në.

“Për njerëzit që ndryshojnë parti sa andej këtej, mund të ndryshosh parti për xhepin tënd, mund të ndryshosh pozicione politike për xhepin tënd, por turpin më të madh e ke me ata njerëz që të kanë besuar. Prandaj i bëj thirrje çdo demokrati të kthehet në shtëpinë e vetë, i bëj thirrje çdo republikani të votojë Partinë Demokratike”, u shpreh Mediu.

Kreu i Libras takon banorët e Pogradecit: Kundër varfërisë

Në Pogradec, kreu i Libras, Ben Blushi premtoi se do të luftojë varfërinë, duke bërë që asnjë pagesë të mos jetë nën minimumin jetik.

“Po ja dhatë prapë këtyre, do jeni edhe më keq. Shih ca varfërie ka këtu. Është e vërtetë apo jo? Punësim i ulet taksa të larta konsum i ulët kalamajtë pa shkolla ilaçet shumë të shtrenjta spitalet shumë të shtrenjta. Pse duhet të jetë vendi kaq i padrejtë? Mendohuni mirë para se të votoni”, tha Blushi.

Top Channel