Lulzim Basha beson se kjo fushate ka bashkuar rreth opozitës edhe të zhgënjyerit nga Edi Rama. Me të cilin la të kuptohet se nuk ka asnjë plan qeverisje në të ardhmen.

“Edi Rama e di, e ndjen se ky bashkim i madh është bashkimi fitimtar me 25 qershor, ndaj po bën çdo përpjekje të ngjitet si vagoni i fundit i trenit të fitores së “Republikës së re”, por nuk ka e nuk mund të ketë vend në këtë tren për krimin, për korrupsionin, taksat e larta, për shtypjen, haraçin e kërbaçin mbi qytetarët”, tha Basha.

Ndërsa për të pavendosurit dhe për ata që druhen se reforma në drejtësi mund të ndalet nga ndryshimi i pushtetit, Lulzim Basha kishte një mesazh të veçantë.

“Askush nuk e ndal dot me 25 qershor reformën në drejtësi, por kjo nuk është vendimi që do të marrim të dielën. Te dielën vendimi është nëse do të vazhdojmë më 4 vjet të tjera fasada palma, krim, drogë dhe arrogancë apo së bashku do të ikim taksat, do të rrisim ekonominë, do të subvencionojmë fermerët, do të çojmë mijëra të rinj me stazhe pune drejt tregut të punës”, u shpreh kreu i PD-së.

Lulzim Basha thotë se plani i tij për një ekonomi më të fortë është i vetmi projekt për qytetarët në këtë fushatë elektorale dhe u bëri thirrje atyre të marrin pjesë masivisht në zgjedhje më 25 qershor.

Top Channel