Rama: Koalicioni u kris te “Drejtësia”

18/06/2017 00:00

Në një takim me të rinjtë e FRESSH në kryeqytet, Edi Rama ka artikuluar për herë të parë edhe momentin e krisjes së koalicionit PS-LSI.

“Sistemi yne politik është i ngritur me vite të tëra mbi një marrëveshje të heshtur, por që ka dalë haptaz prej vitesh, mes politikanëve që zgjedhin gjykatësit dhe gjykatësit që mbyllin çështjet e politikanëve dhe prandaj politikanët nuk kanë qenë kurrë të gatshëm t’i hynë reformës në drejtësi, sepse është si t’i hynë dhe të sharrojnë degën ku rrinë. Ne I hymë dhe e bëmë dhe aty filloi krisja e koalicionit”, tha Rama.

Në Prrenjas, një nga bashkitë e drejtuara nga të zgjedhurit e LSI, Rama ka denoncuar punësimet nepotike të kryera në këtë bashki, por edhe në atë të Cërrikut.

“Këtu në Prrenjas, inspektori i financave është vajza e dajës, e kryetares së bashkisë, Specialisti i emergjencave, djali i dajës, i kryetares së bashkisë, Drejtori i Rrugëve, krushku dhe menaxheri i sporteve, djali i krushkut. E njëjta gjë edhe me kryetarin e bashkisë së Cërrikut. Si mund të prodhojë shtet, një pushtet tepsi? Kjo është ta trajtosh shtetin si plaçkë dhe prandaj nuk është bërë shtet dhe prandaj na janë kundërvënë të gjithë, se nuk duan të bëhet shtet”,u shpreh Rama.

Më pas Rama është ndalur në Maliq, ku ka kërkuar mbështetjet e qytetarëve.

“Me votat e shqiptarëve, të majtë e të djathtë, ta marrim atë tepsi dhe ta flakim njëherë e mirë, në lumin e llumit të historisë”, tha lideri i PS-së.

Nga Devolli, Kryeministri Rama ka ironizuar Lulzim Bashën.

“Lulzim Basha ka thyer një rekord, thuhet në komunikatën e Partisë Demokratike, në Tiranë. Ai ka ecur të paktën 3 orë e 20 minuta në takime me njerëz, në Tiranë. Tani, e kishim Saliun, që thyente rekorde për të ndenjur në ujë. Doli edhe Luli, që thyen rekord për të ecur në këmbë”, u shpreh kryeministri Rama.

Top Channel