Rama: Keqardhje për kërcënimet. Garë për të ardhmen, jo me partitë

17/06/2017 00:00

Pas votimit të vettingut në Parlament, kryeministri Edi Rama ka udhëtuar për në Lezhë, për mitingun e radhës elektoral.

Edhe këtu, Rama i ka mëshuar reformës në drejtësi, për të cilën ka thënë se pak vetë besonin se do të realizohej.

“Shumë pak besonin se ne do të arrinim ta bënim reformën në drejtësi. Shumë njerëz u trembën duke dëgjuar llogoret e politikës së vjetër që qëllonin reformën. Të tjerë, nga frika e reformës në drejtësi dhe vettingu u mbyllën në çadër dhe i shpallën luftë botës”, ka thënë Rama.

Ndërsa u ka premtuar të pranishëmve se mbështetjen që do t’i japin do t’ua shpërblejë me më shumë përkushtim dhe kokëfortësi, Rama ka shprehur keqardhjen për kërcënimet e dëgjuara në ditët e fundit.

“Për gjithë këto thirrje, britma, ulërima e kërcënime më vjen jashtëzakonisht keq, por Shqipëria që duam nuk është ajo e ulërimave, kërcënimeve dhe e tepsisë së pushtetit”, ka vijuar Rama.

Duke theksuar se në 44 muaj, PS e ka dhënë provën se është e aftë të bëjë shtet, ai është shprehur i bindur se opozita e sotme nuk ka kapacitetet e duhura.

“PD nuk e ka sot as kryeministrin dhe as skuadrën që ju duhet juve. PD nuk e drejton dot sot Shqipërinë, ndaj duhet të votoni për kë do të merrni në punë 4 vitet e ardhshme”, ka shtuar Rama.

Më vonë Rama është takuar me qytetarët shkodranë, të cilëve u ka bërë thirrje që, të bashkuar e të vendosur më shumë se kurrë, më 25 qershor të marrin përgjegjësinë e qartë dhe të fortë për çuar përpara punën e nisur për Shkodrën dhe për Shqipërinë që duam.

“Kemi bërë shumë. Më shumë akoma mbetet për të bërë. Po ka edhe shumë për të humbur nëse Partia Socialiste nuk mban, pa të tjerë në prehër, timonin e reformave. Siç luftuam dhe fituam për Vettingun, do të luftojmë e fitojmë për të rritur ekonominë dhe punësimin si asnjëherë më parë”, ka thënë Rama.

Top Channel