Policia, Rama kërkon ndjesë: Nuk ishte qëllimi im!

17/06/2017 00:00

Edi Rama u tërhoq nga deklarata e bërë një ditë më parë nga Kuçova, kur ftoi policinë që pas pune t’i bashkohet fushatës për të mbledhur vota për Partinë Socialiste.

Përmes një statusi në rrjetet sociale, Edi Rama kërkoi ndjesë për zhurmën e krijuar nga thirrja për punonjësit e policisë.

“Nuk ishte aspak qëllimi im, çka thonë keqdashësit. Por gabimi mbetet imi!”, shkruan ai.

Të shumta ishin reagimet në faqen e tij të Facebook, disa duke e mirëkuptuar për faktin se edhe policët pas detyrës janë qytetarë të lirë me bindjet e tyre politike, disa e quajnë gabim këtë thirrje, ndërsa ka nga ata që thonë se fushata është intensive, por mirëpresin ndjesën e Kryeministrit.

Por Ilir Meta, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit dhe Presidentit të zgjedhur ishte i drejtpërdrejtë në akuza ndaj aleatit të tij. Edi Ramën ai e cilësoi të papërgjegjshëm për këtë deklaratë, ndërsa kritikat nuk i kurseu edhe për kreun e Policisë së Shtetit.

“Dua të dënoj heshtjen e Drejtorit të Policisë së Shtetit, që s’më habit aspak për këtë deklaratë që shkel ligjin për Policinë e Shtetit dhe është thirrje e hapur për përdorimin e policisë në zgjedhje”, tha ai.

Ilir Meta ka një përgjigje të drejtpërdrejtë për socialistët, edhe për mundësine  shkarkimit të tij si President i zgjedhur.

“Nuk ka shanse Rilindja që të shkarkojë Ilir Metën, asnjë shans”, tha ai.

Top Channel